Ndërlidhjet

Maqedoni: Pushteti me fushata populiste


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Partitë politike, në veçanti ato në pushtet, tani një kohë të gjatë kanë nisur fushatën parazgjedhore, edhe pse me marrëveshjen për zgjidhjen e krizës politike ato duhet të përmbahen nga aktivitetet propagandistike, e para së gjithash reklamimin e aktiviteteve të tyre me fonde të buxhetit të shtetit.

Por, shpallja e konkurseve për punësime, rritja e pagave, e pensioneve, paralajmërimet për investime, subvencionet në bujqësi, ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore, vendosja e gurthemeleve të objekteve të ndryshme, flasin qartë për intensitetin në rritje të aktiviteteve të drejtuesve të institucioneve.

Partitë në pushtet kanë mohuar që veprimtaritë e këtilla të kenë lidhje me fushatën parazgjedhore, por se, sipas tyre, bëhet fjalë për projekte të planifikuara që më parë, ndërsa partitë opozitare akuzojnë për shpërdorime fondesh dhe shkelje ligjore.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se fushata të këtilla ka pasur, por kësaj radhe ato do të jenë edhe shumë më të ashpra, siç thekson Albert Musliu, analist dhe drejtues i shoqatës Iniciativa Demokratike.

Ai vlerëson se veprimet e tilla janë në kundërshtim, jo vetëm me marrëveshjen politike, por edhe me Ligjin aktual mbi Kodin zgjedhor që parasheh qartë procedurat e nisjes së fushatës zgjedhore.

“Unë pres që derisa të bëhet ndryshimi i Qeverisë, apo deri sa të formohet qeveria teknike, e cila duhet t’i përgatisë zgjedhjet, qeveria e tanishme do të përdorë çdo moment për fushatë. Ne, datën e zgjedhjeve të parakohshme e dimë dhe është e pritshme që të ketë aktivitete të tilla nga partitë, edhe pse shumë pjesë të marrëveshjes politike nuk janë realizuar. Kjo që ndodh gjithsesi se nuk është korrekte pasi e rëndojnë edhe imazhin e zgjedhjeve, por nuk është diçka, të cilën duhet të habitemi“, thotë Musliu.

Njohësi i çështjeve politike, Nenad Markoviq, thotë se në fushatë parazgjedhore nuk është përfshirë vetëm se pushteti qendror, por edhe ai lokal, ndërsa sa i përket opozitës, ai thotë se edhe ajo bën përpjekje të tilla, por mundësitë i ka të kufizuara, andaj edhe përqendrohet më tepër në kritika për atë që bëjnë partitë në pushtet.

“Përveç aktiviteteve në nivel qendror, edhe komunat që janë nën kontrollin e partive në pushtet, para së gjithash të VMRO DPMNE-së, janë përfshirë në aktivitete intensive. Kështu që bëhet fjalë për një aktivitet parazgjedhor të sinkronizuar. Kjo nuk mund të sqarohet ndryshe".

"Sa i përket opozitës, nuk e di sa çfarë mundësish kanë ato për aktivitete të tilla. Ajo drejton shumë pak komuna, prandaj edhe janë të kufizuar në fushata parazgjedhore. Por, sidoqoftë kemi të bëjmë me një fushatë të fortë që askush nuk mund ta mohojë, fushatë kjo që bie ndesh me marrëveshjen e arritur, por edhe me ligjet në fuqi“, thekson Nenad Markoviq.

Por, fushatat e këtilla sa mund të kenë ndikim tek elektorati, i cili gjithnjë e më shumë abstenon nga zgjedhjet?

Analisti Albert Musliu thotë se periudha e deritashme ka dëshmuar se premtimet e partive nuk janë realizuar thuajse asnjëherë dhe kjo ka bërë që qytetarët të humbin besimin dhe këtë më së shumti e kanë shprehur me mosdaljen e tyre në votime.

Kjo, sipas tij, para së gjithash vërehet te shqiptarët për shkak dëshpërimit nga dështimet e partive të tyre përfaqësuese.

“Unë mendoj se i gjithë ky aktivitet i vrullshëm në këtë periudhë ka më shumë efekt negativ se sa pozitiv. Sa i përket besueshmërisë së premtimeve, vlerësoj se qytetarët tashmë e kanë një qëndrim se do të jenë më skeptik për çdo premtim që do të japin politikanët, pasi ata janë ngopur nga premtimet. Kështu që gjithë kjo që ,bëhet vlerësoj se është më shumë humbje kohe se sa arritja e ndonjë efekti që politikanët duan“, vlerëson Musliu.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen më 26 prill të vitit të ardhshëm.

Ato do të organizohen nga një qeveri kalimtare, e cila duhet të formohet në disa faza, por jo më larg se deri më 15 janar. Mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve vlerësohet si vendimtare për të ardhmen e Maqedonisë, e cila tani një kohë të gjatë është në krizë të thellë politike si pasojë e asaj që njihet si aferë e përgjimeve.

XS
SM
MD
LG