Ndërlidhjet

Assad: Fushata ajrore e Rusisë e shpëton rajonin

  • RFE /RL

Bashar al-Assad

Bashar al-Assad

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, thotë se Siria, Rusia, Iraku dhe Irani, janë të bashkuar në luftimin e terrorizmit.

Raportohet se zoti Assad është shprehur se këto katër shtete kanë arritur “rezultate praktike”.

“Aleanca ndërmjet Rusisë, Sirisë, Irakut dhe Iranit, duhet të ketë sukses, në të kundërtën, i gjithë rajoni do të shkatërrohet”, tha Assad në një intervistë që është transmetuar më 4 tetor.

Gjatë intervistës në Televizionin Khabar të Iranit, zoti Assad tha se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për luftimin e militantëve të Shtetit Islamik, vetëm çon në më tepër jostabilitet në vendin e tij dhe në rajon.

Këto ishin komentet e para të Assadit, prej se Rusia, më 30 shtator i ka lansuar sulmet ajrore kundër pozicioneve të kryengritësve në Siri.

Në Stamboll, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vlerësuar se fushata e bombardimeve të Rusisë është “gabim i rëndë”.

“Hapat që Rusia po i ndërmerr dhe fushata e bombardimit në Siri janë krejtësisht të papranueshme për Turqinë“, tha zoti Erdogan, duke parashikuar se këto sulme “do ta izolojnë Rusinë në rajon”.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Turqisë thotë se aeroplanët luftarakë të Rusisë e kanë dhunuar hapësirën ajrore të Turqisë.

Kjo ministri e ka ftuar ambasadorin rus në Turqi, Andrei Karlov, për të protestuar kundër kësaj shkeljeje, që ka ndodhur më 3 tetor afër kufirit të Turqisë me Sirinë.

Ministria e jashtme turke, njoftoi se dy aeroplanë luftarakë turq të tipit F-16, e kanë detyruar aeroplanin rus që të largohet nga hapësira ajrore e Turqisë.

Zotit Karlov i është thënë se nëse aeroplanët rusë e shkelin hapësirën turke në të ardhmen, atëherë Moska do të ishte “përgjegjëse për çfarëdo incidenti të padëshiruar”.

Rusia tha se aeroplanët e saj luftarakë kanë ndërmarrë 20 fluturime në Siri, gjatë 24 orëve të fundit, duke i sulmuar 10 caqe të militantëve të Shtetit Islamik.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG