Ndërlidhjet

logo-print

Bjellorusi: Qindra vetë protestuan kundër bazës ruse


Pamje nga protesta në Minsk të Bjellorusisë

Pamje nga protesta në Minsk të Bjellorusisë

Qindra njerëz dje janë tubuar në kryeqytetin Minsk të Bjellorusisë, në një protestë të paparalajmëruar kundër ndërtimit të një baze të Rusisë.

Kjo protestë me afro 500 pjesëmarrës ka zgjatur disa orë dhe është mbajtur në qendër të Minskut.

Ish-kandidati presidencial, Mikalay Statkevich, duke folur në këtë protestë i ka dënuar planet e Rusisë për krijimin e bazës, duke thënë se qëllim i saj është që të merret në shënjestër Ukraina, kështuqë Bjellorusia mund të bëhej cak si për NATO-n ashtu edhe për Ukrainën.

Në muajin shtator, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është pajtuar me propozimin e qeverisë për nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e një baze ajrore ushtarake dhe i ka urdhëruar zyrtarët, që t’i fillojnë bisedimet me Bjellorusinë për këtë çështje.

Konsiderohet se ky plan nuk do të ballafaqohet me pengesa të mëdha.

Aktualisht, Rusia i ka dy baza ushtarake në Bjellorusi: një stacion të radarëve dhe një qendër të komunikimeve për nëndetëse.

Rusia i ka edhe disa aeroplanë luftarakë në Bjellorusi, por plani i fundit paraqet ndërtimin e parë të një baze të plotë ushtarke në këtë vend, prej periudhës ish-sovjetike.

XS
SM
MD
LG