Ndërlidhjet

logo-print

Janjiq: Liberalët po marrin kontrollin mbi Listën Serbe


Dushan Janjiq

Dushan Janjiq

Mosmarrëveshjet në Listën Serbe janë më shumë se plasaritje. Ky është një konflikt politik brenda kësaj liste, të cilin Beogradi me shumë sukses po e kontrollon, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, njohësi i çështjeve politike, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Janjiq, kohët e fundit kemi qenë dëshmitarë të asaj që brenda Listës Serbe ka pasur mjaft mosmarrëveshje. A mendoni se ekzistojnë plasaritje apo ndarje brenda Listës Serbe?

Dushan Janjiq: Mendoj se janari i vitit 2015 ka nisur me të ashtuquajturin ‘skandali Jabllanoviq” dhe është e njohur paraqitja e tij e pashembullt në Gjakovë. Kjo ka nxitur faktin që të gjithë, në emër të solidaritetit, madje edhe Beogradi, të jenë në pozitën mat.

U është dashur ta mbështesin Jabllanoviqin dhe deputetët serbë kanë qenë për 6 muaj jashtë qeverisë dhe Kuvendit. Tash po ndodhë një kthesë tjetër. Kur Beogradi dëshiron të përballet dhe lajë llogaritë edhe me grupin e vogël të interesit dhe punët e saj, dhe me komunikimet jolegale të saj, ata përnjëherë u ndanë. Ata janë katër deputetë nga veriu i Kosovës, të cilët kanë lidhje familjare me Jabllanoviqët (Dragan dhe Aleksandar, babë e bir) dhe për çudinë time, kësaj i bashkohen edhe Slobodan Petroviqi dhe Nenad Rashiqi.

Ky është një moment i ri, të cilin ata duhet vetes t’ia sqarojnë. Po frikësohem që ata shtatë delegatë janë mbledhur rreth një interesi afatshkurtër, që t’i shfrytëzojnë mandatet e tyre, që të përpiqen të bëjnë diçka në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë. Natyrisht, kjo nuk është vetëm plasaritje, por më tepër se aq.

Tash për tash ky është konflikt politik, të cilin Beogradi me shumë sukses po e kontrollon dhe po e mban në nivelin e rastit Jabllanoviq, gjë që në ndërkohë edhe është sjellë vendimi për ndërrimin e tij. Po zhvillohen bisedime me të gjithë delegatët dhe natyrisht po arrihet deri te ndërrimi, sipas horizontales dhe vertikales, i të gjithë njerëzve që janë të ndërlidhur me atë grup të interesit. Do të thotë, sa i përket Beogradit - më qartë, po flasim për Beogradin zyrtar, Vuçiqin dhe Gjuriqin - Jabllanoviqët më nuk janë partner, pas të cilëve Beogradi do të qëndrojë.

Mendoj se në bashkëpunim me EULEX-in dhe autoritetet e Kosovës, kjo çështje do të shkojë edhe më tej, kur flitet për përgjegjësinë eventuale për lidhjet me krimin e organizuar.

Radio Evropa e Lirë: Këto marrëdhënie brenda Listës Serbe, a janë edhe reflektim i marrëdhënieve brenda Qeverisë së Beogradit?

Dushan Janjiq: Sigurisht që është shenjë që çështja ka mbaruar dhe se marrëveshja e Brukselit e ka krijuar një realitet të ri, në të cilin do të ketë gjithmonë serbë, të cilët llogarisin në paratë dhe mbështetjen e Beogradit, për të cilat kanë nevojë edhe këta tjerët, Petroviqi dhe Rashiqi.

Do të thotë, të gjithëve po u vjen një kohë, ku serbët duhet të konstituojnë strukturën e tyre autoktone të liderëve politik dhe menaxhuese, që në mënyrë normale, pa ngarkesa të së kaluarës, të krimeve dhe kriminalitetit, të kyçen në shoqërinë e Kosovës. Ky është një proces që zgjatë dhe që do t’i marrë format e saj publike.

Tashmë e ka një formë publike, që nënkupton se Partia e Pavarur Liberale po e merr kontrollin mbi Listën Serbe. Ndërkaq, me 31 tetor do të formohet Konferenca rajonale e Serbisë aktive, e cila do të mbledhë numër domethënës të ekonomistëve, studentëve, profesorëve, veteranëve të luftës, do të thotë, të gjithë njerëz që nuk janë të kënaqur me politikën e deritashme të Beogradit ndaj tyre. Veçanërisht ata të veriut nuk janë të kënaqur ose janë të maltretuar nga ai grup i interesit, që mund ta quajmë grupi Jabllanoviq.

Radio Evropa e Lirë: A mund që e gjithë kjo të ketë pasoja për serbët në Kosovë? Tash duhet të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë...

Dushan Janjiq: Do të ketë mjaft pasoja të mira. Së pari, Beogradi ka mësuar leksionin se nuk mund të mbajë të gjithë nën kontroll dhe se nuk mund të hyjnë të gjithë serbët në një thes. E dyta, Beogradi ka marrëveshje obliguese sipas marrëveshjes së Brukselit dhe Beogradit nuk i nevojiten njerëz të paparashikueshëm, të cilët me aranzhime personale financiare dhe të tjera, me parti të caktuara shqiptare dhe udhëheqës të tyre, bëjnë kthesa të pabesueshme.

E dyta, mendoj se do të krijohet një qasje politike më normale. Është e besueshme që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, serbët do të lajmërohen me tri lista mjaft të forta. Për sa i përket Bashkësisë së Komunave serbe, ajo e ka dinamikën e saj. Statuti duhet të sillet deri në dhjetor. Deri në dhjetor do të rregullohet gjithçka dhe do të jetë një konfigurim i qarte politik i udhëheqjes së re.

Por, me siguri që Dragan Jabllanoviq dhe Aleksandar Jabllanoviq nuk do të jenë në udhëheqjen e Bashkësisë së Komunave serbe dhe nuk do të kenë asnjë ndikim në përpilimin e statutit.

Ngecja mund të shfaqet vetëm në fazën kur qeveria në Prishtinë, me aprovimin e Gjykatës Kushtetuese, duhet të sjellë Ligjin për futjen e Bashkësisë së Komunave serbe në sistemin e Kosovës. Ndryshe, me siguri se nuk do të ketë ngecje dhe se e gjithë kjo mund të ketë ndikim në kuptimin e mundësisë së pajtimeve më efikase dhe ndoshta edhe më reale të kërkesave rreth Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, se sa do të ishte që të ruhet iluzioni që të gjithë serbët pa përjashtim. janë instrumente të Beogradit.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG