Ndërlidhjet

Kosova pa mbrojtje nga sulmet kibernetike


Ilustrim
Ilustrim

Kosova si shumë vende të ndryshme të botës, është e rrezikuar nga sulmet e mundshme kibernetike.

Për të mos ardhur deri te një sulm i tillë, institucionet e Kosovës janë duke punuar për hartimin e strategjisë për t'u mbrojtur nga sulmet kibernetike.

Një sulm kibernetik do të nxirrte jashtë funksionit shërbime shumë të rëndësishme informative të shtetit.

Po ashtu, incidentet kibernetike janë edhe sulmet që bëhen nga kriminelë ose terroristë, të cilët vjedhin informacione për të dëmtuar një shtet të caktuar.

Rrjetet e informacionit kalojnë kufijtë kombëtarë dhe siguria kibernetike është një nga pikat e dobëta, prandaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës thonë se janë duke punuar në drejtim që Kosova të mbrohet nga sulmet e tilla.

Gazmend Krasniqi, drejtor i Teknologjisë Informative dhe Komunikimit në Policinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova është e rrezikuar pasi që përdorimi i internetit është shumë i madh.

“Përdorimi i teknologjisë informative ka arritur një stad të zhvillimit, por në anën tjetër kjo na tregon se Kosova është e rrezikuar nga kjo dukuri, do të thotë siguria kibernetike”, tha Krasniqi.

Zoti Krasniqi, tha se Kosova si shtet ka legjislacionin për luftimi e krimeve kibernetike, por sipas tij ai legjislacion ka nevojë për ndryshime dhe harmonizim me Konventën Evropiane të Këshillit të Evropës për luftimin e krimeve kibernetike.

“Hap i parë duhet të jetë zhvillimi dhe amandamentimi i mëtejmë i legjislacionit. Zhvillimi i strategjisë për siguri kibernetike. Zhvillimi i mëtejme i njesisë për reagim të emergjencave dhe i atyre njesive të tjera brenda institucioneve me kritikë qeveritare. Zhvillimi i mëtejmë i politikave dhe proceduarave dhe mbrojtjes ndaj sigurisë kibernetike”, tha Krasniqi.

Se Kosova është e rrezikuar nga sulmet e mundshme kibernetike e thotë edhe Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë dhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ibishi thotë se institucionet e Kosovës duhet të ngrehin kapacitetet për identifikimin e sulmeve të mundshme dhe ardhjen e tyre.

“Mendoj se Kosova realisht është e rrezikuar. Në aspektin e infrastrukturës ligjore jemi mirë, por nuk e kemi strategjinë edhe kjo në një formë kishte për ta parashikuar me planin e veprimit dhe çka do ishte dashur të bëhet në këtë drejtim. Mendoj se nuk duhet nënvlerësuar situata”, tha Ibishi.

Besnik Limaj, udhëheqës i grupit për projektin transrajonal, Fuqizimi i Sigurisë Kibernetike "ENCYSEC", i financuar nga Komisioni Evropian, tha për Radion Evropa e Lirë se në kuadër të projektit janë zhvilluar trajnime të ndryshme për shume institucione të Kosovës që janë relevante për sigurinë kibernetike.

Limaj tha se në Kosovë duhet shumë punë për të bërë, pasi që edhe shtetet më të avancuara janë cak i sulmeve të ndryshme kibernetike.

“Nuk mund të themi që Kosova nuk është e rrezikuar nga sulmet kibernetike deri sa edhe shtetet më të avancuara si Amerika, janë cak i sulmeve të një pas njëshme".

"Është punuar mirë në këtë drejtim në Agjencinë për Shoqëri të Informacionit, pasi që e gjithë infrastruktura e ministrive është e koncentruar në një vend të veçantë në krahasim me Maqedoninë, ku secila ministri i administron ndaras resurset dhe serverët e tyre. Nuk është se jemi të kënaqur, pasi që mendoj se duhet të ngrihen kapacitete shumë e më shumë”, tha Limaj.

Institucionet e Kosovës janë në përfundim të hartimit të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike.

Limaj tha se kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka nënshkruar vendimin për zhvillimin e strategjisë duke emëruar ministrin e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Skënder Hyseni, që ta udhëheqë zhvillimin e saj dhe ka nënshkruar vendimin për krijimin e grupit punues për zhvillimin e strategjisë.

XS
SM
MD
LG