Ndërlidhjet

Financuesit e partive përfitojnë miliona euro


Ilustrim

Ilustrim

Financuesit e partive politike kanë përfituar mbi 220 milionë euro nga tenderët publikë përgjatë periudhës kohore gusht 2007 - maj 2014.

Në hulumtimin e organizatës joqeveritare "Çohu" dhe Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese “Preportr”, thuhet se financuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, prijnë për sa i përket vlerës totale të parave që i kanë përfituar nga tenderët publikë.

Financuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, dalin të jenë të dytët që kanë përfituar më së shumti nga tenderët publikë, të pasuar nga ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Aleancës Kosova e Re dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Preportr” ka mundur të provojë që financuesit e PDK-së kanë përfituar mbi 160 milionë euro, përderisa ata të LVV-së kanë marrë afër 60 milionë euro nga tenderët publikë.

Shuma totale që financuesit e tri partive tjera (LDK, AAK dhe AKR), kanë përfituar është më pak se 14 milionë euro.

Hulumtimi ka treguar se dy burimet kryesore të financave të partive politike vijnë nga buxheti publik dhe nga donatorë të jashtëm ose në formë të parave të gatshme ose në atë të kontributeve në mallra dhe shërbime.

Vlera totale e tenderëve të fituar nga financuesit e PDK-së, është 162,517,080 euro, përderisa nga ata të LVV-së është 59,701,559 euro.

Në bazë të dokumenteve zyrtare e njëjta gjë nuk ka ndodhur me tri partitë e tjera, LDK-në, AKR-në, dheAAK-në, edhe pse për një kohë të gjatë ishin në pushtet.

Në këtë hulumtim thuhet po ashtu se “një numër i madh i kompanive dhe individëve që mbështesin partitë politike apo kandidatët e tyre nuk figurojnë fare në raportet financiare të audituara nga KQZ-ja”.

Lorik Bajrami nga Organizata për Demokraci dhe Anti Korrupsion “Çohu“, në një konferencë me gazetarë ka shpjeguar gjetjet e hulumtimit.

“PDK dhe VV kanë natyrë të njëjtë të financimit. Këto dy subjekte gjenerojnë të hyra prej buxhetit të shtetit dhe donacioneve të cilat kryesisht vijnë në formë kesh. Deri sa LDK-ja dhe AAK-ja deklarojnë shumë pak donatorë, do të thotë burimin kryesor të të hyrave sipas tyre e realizojnë përmes buxhetit. AKR-ja ka një trajtë kryesisht familjare të financimit”, tha Bajrami.

Zoti Bajrami tha se gjatë hulumtimit është vërejtur se 3 deri nga katër donatorë në të njëjtën kohë kanë financuar edhe PDK-në edhe VV-në.

“Ka shkelje të ligjit. Në kuadër të hulumtimit ne i kemi identifikuar rastet ku janë bërë shkelje për tejkalim të donacionit. Mirëpo, legjislacioni në fuqi nuk parasheh masa ndëshkuese të larta. E vetmja masë ndëshkuese është që i detyrojnë partitë politike të kthejnë prapa donacionet e tepruara gjë që në një pjesë dërmuese të rasteve e kanë bërë partitë politike dhe kaq ka mbaruar kjo punë sa i takon shkeljes së ligjit”, theksoi Bajrami.

Lidhur me ketë hulumtim Radio Evropa e Lirë, ka kontaktuar me zyrtarët e PDK-se dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por të njëjtit nuk kanë dashur të japin ndonjë përgjigje lidhur me ketë hulumtim.

Të dhënat për bizneset që janë në pronësi të donatorëve të partive politike janë hulumtuar duke krahasuar numrat personalë, të cilët janë deklaruar në raportet e auditimit, me databazën e regjistrit të bizneseve në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit në Kosovë.

Preportr ka shkarkuar rreth 700 kontrata të nënshkruara nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ish-Ministria e Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit (MTPT) dhe Ministria e Infrastrukturës (MI) për periudhën kohore gusht 2007- maj 2014.

Nga këto të dhëna janë “Preportr”, ka nxjerrë informacione rreth kompanive që kanë fituar tenderë të cilat janë krahasuar me të dhënat nga regjistri i bizneseve në ARBK, për të identifikuar pronarët e kompanive përfituese të tenderëve publikë.

Preportr ka gjetur se bizneset të cilat kanë financuar subjektet politike kanë marrë 442 tenderë, duke përfituar mbi 220 milionë euro.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG