Ndërlidhjet

logo-print

Shqipëria dhe Serbia përballen në Elbasan


Foto nga ndeshja e kaluar mes Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd

Foto nga ndeshja e kaluar mes Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd

Sot në orën 20.45 në stadiumin “Elbasan Arena” zhvillohet ndeshja Shqipëri - Serbi e vlefshme për eliminatoret e Euro 2016.

Ekipi serb ka mbërritur rreth orës 17.50 të së mërkurës, dhe është nisur drejt hotelit Sheraton në Tiranë, ku u akomodua për të vetmen natë të qëndrimit në Shqipëri.

Gjatë rrugës nga Aeroporti i Rinasit në hotel, autobusi ku udhëtonte ekipi serb, u godit me një gur.

Sipas një video të xhiruar nga njëri prej lojtarëve në autobus, dhe nga këqyrja e mëvonshme, u vu re një xham i krisur, nga guri që duhet të jetë qëlluar nga një distancë e largët.

Ky incident është pohuar edhe nga përfaqësuesi i Federatës Serbe të Futbollit, ndërsa Ministria serbe e Punëve të Jashtme i ka dërguar një notë proteste ambasadës shqiptare në Beograd për incidentin me autobusin, ku udhëtonte përfaqësuesja serbe.

Rreth 2,500 forca policore kanë marrë përsipër ruajtjen e rendit dhe sigurisë përpara, gjatë dhe pas ndeshjes.

Ministri i rendit Sajmir Tahiri në një konferencë për shtyp tha se janë marrë të gjitha masat për një mbarëvajtje të mirë të ndeshjes.

Ndërkohë që gjatë konferencës për shtyp, si trajnieri i Serbisë ashtu dhe kapiteni i saj, thanë se kanë ardhur vetëm për ndeshje futbolli, dhe jo për incidente.

Ndërkohë, policia shqiptare ka ndaluar Ismail Morinën, personin që ngriti fluturaken në 14 tetor të vitit 2014 në stadiumin “Partizani“ të Beogradit.

Ai është ndaluar me akuzën e armëmbajtjes pa leje, pasi në makinë iu gjet një beretë e tipit “Zastava”.

Tifozë nga Kosova e Maqedonia kanë mbërritur në Elbasan, dhe kanë nisur festimet që të mërkurën në mbrëmje.

XS
SM
MD
LG