Ndërlidhjet

Rrezikohen disa nga projektet e punësimit


Ilustrim
Ilustrim

Projektet e shoqatave ekonomike në Kosovë, të përkrahura nga institucionet e Kosovës, të cilat kanë për qëllim punësimin e të papunëve, po kanë vështirësi në realizimin e tyre.

Projekti "Bursa e Punësimit", projekt tradicional i Aleancës Kosovare të Biznesit në bashkëpunimin me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, po rrezikon të mos realizohet në këtë vit për shkak të mjeteve financiare.

Ky projekt është realizuar për gjashtë vite radhazi, dhe në vit sipas të dhënave të Aleancës Kosovare të Biznesit, thuhet të ketë arritur t’i punësojë mbi 500 të papunë.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se "Bursa e Punësimit" është një projekt për të cilin janë zotuar se do ta përkrahin, por për shkak të pamundësisë buxhetore ende nuk kanë arritur të ndajnë mjete.

“Kanë qenë kufizimet buxhetore ato të cilat kanë pamundësuar implementimin e këtij projekti. Ne kemi trashëguar një buxhet i cili ka qenë i tkurrur dhe aprovimi i buxhetit në fillim të vitit ka bërë që disa programe të mbesin pa buxhet të mjaftueshëm dhe kjo ka qenë një prej arsyeve”, ka treguar Abrashi.

Ai shton se deri në fund të vitit, ndoshta do të arrijnë të kursejnë disa mjete nga programet tjera që lidhen me investime kapitale dhe t’i bartin në këtë projekt.

Për realizimin e këtij projekti, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të duhej t’i ndante rreth 50 mijë euro.

Megjithatë, ministri Abrashi ka bërë të ditur se kanë përkrahur disa programe tjera më masive që prekin fushën e punësimit, siç është subvencionimi i pagave si dhe grantet për vetpunësim.

Çdo vit, në tregun e punës në Kosovë supozohet se hyjnë 20 deri në 30 mijë persona, të cilët janë të aftë për punë.

Punësimi i këtyre personave, sipas përfaqësuesve të shoqatave ekonomike çdo vit po bëhet më i vështirë në Kosovë.

Mosrealizimi i projektit "Bursa e Punësimit", sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i ka humbur mundësinë e punësimit një numri të të papunëve.

“Kemi dorëzuar projektin në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i kemi dorëzuar kërkesat dhe gjithë dokumentet e duhura në mënyrë që ky projekt të mos e humb kontinuitetin e vet tash e 6 vite, por edhe përkundër premtimeve se një projekt i tillë do të përkrahet, ne nuk kemi marrë një përgjigje".

“E gjithë kjo ka bërë që në këtë vit të mos kemi punësim të rreth 500 personave sa janë realizuar çdo vit nga ky projekt”, ka theksuar Shahini.

Shahini ka treguar se ky projekt gjatë viteve të kaluara ka realizuar punësim drejtpërdrejtë në kompanitë vendore.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit.

Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës kishte shënuar rënie të lehtë nga 30.9 për qind në 30.0 për qind midis viteve 2012 dhe 2013, mirëpo ka shënuar rritje në 35.3 për qind në vitin 2014.

XS
SM
MD
LG