Ndërlidhjet

KEDS-i zvogëlon nivelin e “vjedhjes” së rrymës


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Niveli i lartë i humbjeve teknike dhe komerciale të energjisë elektrike në Kosovë, jo rrallë herë është përmendur si një nga shkaktarët kryesor për gjendjen jo stabile të furnizimit më energji.

Pas privatizimit të rrjetit të furnizimit, kompania e re ka vënë si prioritet reduktimin e humbjeve komerciale dhe teknike.

Ndërrimi i orëve matëse të energjisë po vlerësohet i suksesshëm në këtë fushë, sipas zyrtarëve të Distribucionit dhe Furnizimit më Energji Elektrike, KEDS.

Edhe pse nuk japin ndonjë vlerë të përafërt se sa janë humbjet teknike dhe komerciale, sipas tyre, ato tashmë janë zvogëluar për 6 për qind.

Viktor Buzhala, zëdhënës në KEDS, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se niveli i humbjeve ka qenë i lartë dhe parandalimi i kësaj dukurie kërkon kohë.

“Projekti më i rëndësishëm rreth humbjeve është operacioni i nxjerrjes së orëve jashtë, vendosjen e tyre në shtyllat elektrike. Disa muaj pas privatizimit, përkatësisht në fillim të vitit 2014 ,ne e filluam këtë projekt menjëherë. Por, fatkeqësisht gjatë implementimit të tij ne hasëm në shumë telashe.. Tash për tash po shkon mirë dhe kur të përfundojë presim veçanërisht humbjet komerciale të vijnë në nivel normal”, thotë Buzhala.

Ndryshe, mbi 410 milionë euro llogaritet borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve që kanë pasur ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, që nga përfundimi i luftës në Kosovë deri në vitin 2013.

Nga kjo shumë, mbi 100 milionë euro janë borxhe të konsumatorëve që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, rajon ky i banuar me shumicë serbe, e që Korporata Energjetike e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur qasje.

Në fund të vitit 2012, është privatizuar Distribucioni i Korporatës Energjetike të Kosovës(KEK). Konsorciumi fitues turk “Limak&Çalik” ka blerë këtë rrjet prej 26.3 milionë euro.

Kurse sa i përket grumbullimit të borxheve, Korporata Energjetike e Kosovës ka lidhur një marrëveshje më pronarin e ri.

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, e konsiderojnë proces të vështirë, parandalimin e humbjeve komerciale.

Kushtrim Puka, nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë për Energji, (KOSID), që janë marrë vazhdimisht me çështjet energjetike, thotë se KEDS-I nuk ka arritur që të zvogëlojë humbjet teknike dhe komerciale në vlerat e caktuara.

“Një gjë e tillë nuk ka ndodh, investimet nuk po shihen. Ndërkaq sa i përket humbjeve në vitin 2014, sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, është dashur të ulen deri në 24.4 për qind, kurse ato kanë qenë 28.5 për qind".

"Ndërkaq sivjet edhe nëse i ulë humbjet, KEDS-i prapë është larg në përqindje të vlerës ku është dashur të jetë, për arsye se ka pasur ngecje gjatë gjithë këtyre viteve , për shkak të mosinvestimeve.”

Sidoqoftë, Viktor Buzhala, thotë se pas privatizimit, kompania është fokusuar në tri çështje që kanë të bëjnë me humbjet dhe stabilizimin e sistemit: investimet, ndërrimin e njehsorëve dhe nxjerrjen e njehsorëve jashtë.

Për të përmirësuar, kualitetin e shërbimeve energjetike, Buzhala thotë se KEDS po investon 21 milionë euro çdo vit.

“Sa i përket njehsorëve dhe pikave matëse ne arritëm të ndryshojmë ato në shkallën prej 35 për qind në tërë Kosovën për dy vjet. Ndërsa, planifikojmë të ndryshojmë të gjithë Kosovën brenda 3 vjetëve. Pas këtyre ndryshimeve, sistemi i faturimit rregulloi shumë çështje dhe ndihmoi shumë në rënien e humbjeve“, tha Buzhala

Edhe në Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës 2009-2018, thuhet se niveli i humbjeve teknike paraqitet deri në 18 për qind, kurse humbjet komerciale të energjisë elektrike deri në 35 për qind, me pjesëmarrje të tyre prej rreth 50 për qind në bruto konsum në periudhën 2000- 2007, janë shkaktarët kryesor për gjendjen aktuale operuese dhe financiare të KEK.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG