Ndërlidhjet

Kuarteti i Dialogut Kombëtar të Tunizisë, laureat i Nobelit për Paqe


Përfaqësuesit e Kuartetit, foto arkivi
Përfaqësuesit e Kuartetit, foto arkivi

Komiteti i Nobelit në Oslo sot ka shpallur Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2015, të cilin e fitoi Kuarteti i Dialogut Kombëtar të Tunizisë për rolin që ka pasur në tranzicionin e këtij vendi drejt demokracisë.

Në arsyetim të këtij vendimi theksohet se ky grup ka dhënë “kontribut vendimtar në ndërtimin e demokracisë shumëpartiake në Tunizi” pas revolucionit në vitin 2011.

Për këtë çmim të këtij viti është thënë se ka pasur rreth 273 garues.

Sipas raportimeve të mëhershme, në mesin e tyre thuhet të ketë qenë edhe Papa Françesku, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

"Kuarteti është formuar në verën e vitit 2013, atëherë kur procesi i demokratizimit ishte në rrezik nga kolapsi, si rezultat i atentateve politike dhe trazirave të shumta sociale".

"Ai vendosi një alternativë, një process paqësor politik, në kohën kur vendi ishte në prag të një lufte civile”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e Komitetit.

Kuarteti është një grup që ka zotuar veten në ndërtimin e dialogut në mes të elementeve të ndara të shoqërisë në Tunizi.

Në të bëjnë pjesë një sindikatë pune, një konfederatë tregtare, një organizatë për të drejtat e njeriut dhe një grup avokatësh.

Në kuptimin më të gjerë, mediat botërore po e interpetojnë këtë ndarje çmimi si përpjekje nga Komiteti i Nobelit për ta mirënjohur Pranverën Arabe, e cila filloi në Tunizi në dhjetor të vitit 2010.

XS
SM
MD
LG