Ndërlidhjet

logo-print

Të moshuarit, në hall me shëndetin dhe xhepin


Kosovë, foto nga arkivi

Kosovë, foto nga arkivi

Në Kosovë, rreth 7 për qind të popullsisë së përgjithshme, e përbëjnë personat e moshës mbi 65 vjeç.

Pensionistët kontribut-dhënës, sot marrin nga 140 euro në muaj, derisa vlera e pensioneve të moshës, është 80 euro në muaj.

Kjo kategori e shoqërisë përballet me halle të mëdha në shumë fusha, derisa mbetet sfidë gjendja shëndetësore dhe marrja e shërbimeve shëndetësore adekuate.

Hulumtimet e bëra në vend tregojnë se mbi 80 për qind e tyre vuajnë nga një sëmundje kronike, derisa 45 për qind nga dy e më shumë sëmundje kronike.

Naim Jerliu, specialist i shëndetit publik, ka thënë se të moshuarit në pikëpamje shëndetësore janë më të ndjeshëm, duke folur edhe për mundësitë e trajtimit.

"Në bazë të hulumtimeve që janë bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në bazë të deklarimeve që kanë bërë të moshuarit, ata vuajnë nga sëmundje kronike, ku prijnë sëmundjet kardiovaskualare. Në Kosovë, ndonëse me ligj garantohet e drejta e trajtimit falas në institucione publike shëndetësore, të moshuarit kanë deklaruar se nuk kanë mundësi të marrin trajtimin e duhur për nevojat e tyre shëndetësore", shprehet Jerliu.

Edhe vetë pensionistët flasin se sa të vështirë e kanë të kalojnë muajin me një shumë simbolike mujore që ata marrin në formë pensioni.

Tetëdhjetë vjeçari Emrush Gashi thotë se pensioni nuk i mjafton as për barna.

"Pensionin e marr 80 euro në muaj. As për barna nuk me dalin. Për ushqim jo se jo. Është shumë e vështirë të kalohet muaji me këtë shumë parash", thekson Gashi.

"Vita-Jeta"” është shoqatë e personave të moshuar dhe ka rolin e një qendre gjenerative në Kosovë, e cila zhvillon aktivitete të shumta të sferës sociale, shëndetësore, juridike, etj. me qëllim të përmirësimit të pozitës së të moshuarve.

Drejtoresha e kësaj organizate, Mimoza Ajeti, thotë se institucionet e vendit nuk e përkrahin sa duhet këtë kategori të shoqërisë.

"Pensionet që i marrin pensionistët nuk mjaftojnë as për barna, për sëmundjet kronike. Me aktivitetet psiko-sociale mundohemi që sado pak t'ua lehtësojmë. Mbajmë ligjërata të ndryshme për sëmundje, që t'u a lehtësojmë jetën. Pensionet nuk ju mjaftojnë. Shërbimet shëndetësore nuk i kanë cilësore, pasi që nuk përkrahen as nga institucionet. Do të duhej t'i kishin sigurimet shëndetësore. Po presim", thekson Ajeti.

Sidoqoftë në Kosovë, ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2007, mirëpo ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi.

Sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë këtë vit do të fillojë mbledhja e premiumeve financiare dhe më pas edhe implementimi i tij.

Arsim Çavdërbasha, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se Ligji për sigurime shëndetësore parasheh që çdo banor i Kosovës do ta ketë statusin e të siguruarit përfshirë edhe moshën mbi 65 vjeç.

"Kategoria e qytetarëve mbi 65 vjet është një kategori e rëndësishme dhe ata domosdo do ta kenë statusin e të siguruarit. Në kuadër të fondit të sigurimeve publike shëndetësore në Kosovë, do të realizohet e drejta e shfrytëzimit në kujdesin parësor, dytësor dhe terciar shëndetësor, sikurse çdo qytetar tjetër falas".

"Nëse gjendja e tyre sociale konstatohet si e ndjeshme do të lirohen edhe nga bashkë-pagesa. Do të jenë të siguruar dhe do të kenë të drejtë t'i shfrytëzojnë shërbimet pa pagesë dhe një pjesë të konsiderueshme edhe pa bashkë-pagesë", bën të ditur Çavdërbasha.

Sido që të jetë, zyrtarë shëndetësorë thonë se Kompanitë Private të Sigurimeve, nuk e pranojnë sigurimin e kategorisë së njerëzve me sëmundje kronike apo edhe të atyre me sëmundje të rënda, e që duhet të shpenzojnë shuma të mëdha parash për ta.

Prandaj edhe shumica e shteteve e ka parë të nevojshme të miratojë ligjin për sigurime publike shëndetësore të obligueshme, ku përfshihen të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG