Ndërlidhjet

logo-print

Në Kosovë, përveç dhjetë bankave komerciale, veprojnë edhe 18 institucione mikrofinanciare me 113 njësi. Pjesa më e madhe e këtyre institucioneve janë me pronësi të huaja.

Institucionet mikrofinanciare bazohen kryesisht në shërbime të vogla financiare, duke ofruar kredi për individë, fermerë dhe biznese.

Por, për ndryshim nga bankat komerciale që kohëve të fundit kanë ulur normat e interesit për kredi, institucionet mikrofinanciare nuk kanë marrë një hap të tillë.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, thuhet se normat e interesit për kredi në këto institucione arrijnë afër 25 për qind.

Ekspertë për çështje financiare, ndërkaq konsiderojnë se kamatat janë jashtëzakonisht të larta.

Milazim Abazi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se këto institucione duhet që gjejnë mënyra dhe forma për uljen e kamatave të kredive.

“Pse nuk i ulin kamatat mikrofinancat? Unë mendoj se janë dy arsye: Për shkak se mikrofinancat nuk kanë të drejtë të grumbullojnë kursimet që janë burimet më të lira, se financimet e kredive. Po ashtu, këto institucione merren vetëm me kredi të vogla. Ndërsa edhe bankat , për kreditë e vogla nuk kanë ulur interesat”, thotë Abazi.

Kurse profesori i Biznesit në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Besnik Krasniqi, thotë se normat e interesit për kredi si në bankat komerciale po ashtu edhe te ato mikrofinanciare, janë më të lartat në rajon dhe në këtë mënyrë nuk kanë reflektuar në zhvillimin e bizneseve.

“Tek institucionet mikrofinanciare gjithkund në botë normat e interesit për kredi janë më të larta për shkak se risku i projekteve që financojnë këto institucione është më i madh se sa rreziku mesatar në biznes. Dhe nëse e shohim strukturën në Kosovë, këto institucione kanë financuar projekte në bujqësi”.

“Por, në nivelin e përgjithshëm këto norma të interesit janë përcaktuar ngaoferta e përgjithshme e parasë që ndodhet në treg, për arsye se një kohë të gjatë në Kosovë ka pasur mungesë të parave të gatshme dhe kapitalit”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Krasniqi.

Por, për dallim nga bankat komerciale që operojnë në Kosovë, në këto institucione procedurat e aplikimit për kredi janë më të thjeshta dhe të shpejta, por edhe koha e procedimit dhe aprovimit kërkon kohë më të shkurtër.

Këto janë edhe një ndër arsyet pse qytetarët nuk hezitojnë të marrin kredi në këto institucione me norma të larta të kredisë, thotë Milazim Abazi.

“Arsye themelore është se procedurat e lejimit të kredive të vogla në mikrofinanca janë shumë më të thjeshta dhe qytetarët të cilët vendosin në momentin e fundit të marrin kredi, nuk mund të presin procedurat e stërzgjatura në bankat komerciale dhe orientohen te procedurat më të shkurtra tek mikrofinancat".

"Mirëpo ka vend për ulje të interesave për kreditim, si nga bankat po ashtu edhe nga mikrofinancat”, thekson Abazi.

Pavarësisht normave të larta, vlera e kredive në këto institucione ka arritur afër 80 milionë euro.

Po ashtu, në raportin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, vërehet se në këto institucione ka rritje vjetore të kredive, sidomos te kreditë për ndërmarrje.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG