Ndërlidhjet

Kosova hap dyert për migrantët nga Lindja e Mesme


Foto e migrantëve gjatë rrugëtimit të tyre.

Foto e migrantëve gjatë rrugëtimit të tyre.

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për të pranuar rreth 500 migrantë nga Lindja e Mesme.

Këto komente, zoti Thaçi i bëri më 8 tetor në Konferencën e nivelit të lartë për Mesdheun Lindor dhe Ballkanin Perëndimor në Lukesmburg.

“Vala aktuale e refugjatëve nga Lindja e Mesme nuk po kalon përmes Kosovës. Ne e dimë se rrugët ndryshojnë dhe ne po i ndjekim gjërat nga afër dhe po përgatitemi për çfarëdo zhvillimesh. Kosova dëshiron të jetë pjesë e projekteve për t’u marrë me këtë sfidë të re”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Radio Evropa e Lirë ka provuar të kontaktojë me përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, për t’u njoftuar me kapacitetet që ka Kosova për pranimin e këtij numri të migrantëve nga Lindja e Mesme, kryesisht nga Siria, por zyrtarë të kësaj ministrie nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Kryqit të Kuq i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se menjëherë pas gatishmërisë së institucioneve të Kosovës për pranim të migrantëve, kanë filluar t’i rishikojnë kapacitetet për të reaguar në këtë situatë.

Antigona Sopjani, koordinatore në këtë shoqatë kombëtare humanitare, ka theksuar se mund të ndihmojnë për aq sa ua lejon misioni i tyre.

Ajo ka treguar se Kryqi i Kuq ka ekipet për menaxhim të emergjencave dhe se varësisht nga nevojat ata do të jenë të gatshëm të ndihmojnë migrantët që do të pranohen në Kosovë.

“Ajo çka ne mundemi të bëjmë: fillimisht mund të asistojmë në ngritjen e kampit nëse është e nevojshme, pastaj mund të reagojmë me ekipet tona të ndihmës së parë, pasi që ka raste që mund të kenë nevojë për ndihmë të parë”.

“Kemi ekipet për përkrahje psiko-sociale, pasi që këta persona që vijnë prej zonave të konfliktit kanë nevojë për këtë ndihmë. Po ashtu kemi edhe shërbimin tonë të rivendosjes së lidhjeve familjare, në rast se personat kërkojnë pjesën tjetër të familjes që iu ka mbetur në ndonjë vend tjetër”, tregon Sopjani.

Në Kosovë, në Magurë të Lipjanit, ekziston Qendra për Azilkërkues, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës.

Drejtori i kësaj qendre, Fitim Zariqi, në një prononcim dhënë më herët për Radion Evropa e Lirë, kishte theksuar se në rast se Qeveria e Kosovës merr vendim që të pranohen refugjatë, atëherë, ata do të jenë në shërbim të atij vendimi.

Ai kishte treguar se Qendra për Azil ka një kapacitet për akomodimin e 60 azilkërkuesve, me mundësi maksimale të rritjes deri në 123 persona.

Sidoqoftë, kapacitetet e Kosovës për pranimin e migrantëve vihen në dyshim nga drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala.

Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Kosova është një vend që nuk ka qëndrueshmëri ekonomike dhe sociale në radhë të parë për qytetarët e saj.

Ai kujton valën e fundit të largimit të qytetarëve nga Kosova në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian në kërkim të një jete më të mirë.

“Kosova nuk ka asnjë kapacitet t’i pranojë ata të cilët vijnë nga shtete tjera, dhe është shumë jo serioze nëse japim premtime se mund të sistemojmë të ikurit nga Siria, Iraku apo nga shtetet tjera, kur nga shteti ynë po ikin shumë qytetarë për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe sociale”, thekson Shala.

Kosova, sipas tij, mund të pranojë refugjatë vetëm nëse mekanizmat ndërkombëtarë ofrojnë mjete për refugjatët, të cilët mund të strehohen në Kosovë.

Çështja e refugjatëve ishte ngritur edhe nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila kishte kërkuar nga autoritetet përkatëse që të shqyrtohen mundësitë dhe kapacitetet nëse Kosova është e gatshme që të solidarizohet me strehimin e refugjatëve të ikur nga lufta në Siri.

Migrantët nga Lindja e Mesme po përdorin vendet e Ballkanit Perëndimor, kryesisht Maqedoninë dhe Serbinë, për të depërtuar brenda kufijve të Bashkimit Evropian.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG