Ndërlidhjet

Opozita në Kosovë: Shteti është në rrezik


Nga seanca e së enjtes e Kuvendit të Kosovës...
Nga seanca e së enjtes e Kuvendit të Kosovës...

Tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, përmes një deklarate të përbashkët, kanë vlerësuar se “shteti është në rrezik”.

Në deklaratën e tyre thuhet se vendimet e kryeministrit dhe vartësve të tij do të rezultojnë me ndarjen etnike të Kosovës, duke formalizuar dhe legalizuar ndikimin politik të strukturave ilegale të Serbisë mbi një pjesë të territorit të Kosovës.

Në anën tjetër, marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi ia humb Kosovës mbi 10 mijë hektarë të territorit, thuhet në deklaratën e tri partive opozitare.

Të enjten, deputetët opozitarë kanë penguar folësit me fishkëllima të bilbilave, me hedhje të ujit dhe gazit lotsjellës.

“Zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës kanë qenë të pashmangshme. Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për shkak se Qeveria po e ndan Kosovën dhe po e fal territorin e saj”, thuhet në deklaratën e opozitës.

“Vezët, uji dhe gazi lotësjellës nuk janë drejtuar kundër Kuvendit, as kundër ndonjë institucioni të shtetit. Janë drejtuar kundër vendimeve të gabueshme të Qeverisë, të cilat mund të zbatohen. Nën tymin e gazit lotësjellës kemi qëndruar edhe vetë, ne deputetët e partive opozitare, të përkushtuar për të mbrojtur shtetin, territorin dhe demokracinë në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Opozita ka ndërprerë punimet e Kuvendit edhe në tri seanca paraprake dhe është zotuar se do të bëjë një gjë të tillë derisa kryeministri Isa Mustafa të mos tërheqë nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nga marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

XS
SM
MD
LG