Ndërlidhjet

Pozita e opozita vazhdojnë me akuza e kundër-akuza


Seanca e 22 shtatorit 2015, ku po fliste kryeministri i Kosovës ISa Mustafa, e cila u ndërpre nga opozita.

Seanca e 22 shtatorit 2015, ku po fliste kryeministri i Kosovës ISa Mustafa, e cila u ndërpre nga opozita.

Në Kosovë përfaqësuesit e partive politike në pushtet dhe atyre të opozitës, po vazhdojnë me akuza e kundër-akuza lidhur me zhvillimet politike në vend për marrëveshjet e arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar të shtunën se opozita do që ta marrë pushtetin me dhunë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka theksuar se probleme reale për Kosovën nuk janë as Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe dhe as demarkacioni i kufirit me Malin e Zi.

Problem është abstenimi në zbatimin e ligjit dhe të rregullave, që stimulon hyxhymin e dhunshëm për të ardhur në pushtet”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka thënë se Asociacioni është obligim për të zbatuar Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.Ndërsa, për demarkacionin, Mustafa ka thënë se mund të kërkohen korrigjime, nëse dëshmohet se pjesë të territorit të Kosovës i kanë kaluar Malit të Zi.

Opozita në Kosovë këmbëngul se Mustafa duhet të tërheqë nënshkrimet nga këto dy marrëveshje. Në një konferencë për media, e cila është mbajtur në zyrat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari i këtij subjekti politik, Visar Ymeri, ka thënë se i vetmi qëllim i opozitës në Kosovë është të mos lejohet dëmtimi i Republikës së Kosovës.

Angazhimi i opozitës, ka theksuar Ymeri, është që me kundërshtime e rezistencë ta problematizojë çështjen dhe në anën tjetër, ta kundërshtojnë politikën që, siç ka thënë ai, po e dëmton vendin.

"Ne e kemi problemin kryesor dhe kundërshtimin tonë të orientuar për ta ndaluar ndërhyrjen politike dhe financiare të Serbisë në Kosovë. Ky është aspekti thelbësor i opozitës së bashkuar karshi marrëveshjeve të Brukselit".

"Dhe, nëse tash Qeveria e Republikës së Kosovës mishërohet me këtë ndërhyrje të Serbisë, me këtë formalizim të ndikimit politik dhe ekonomik mbi Kosovën, atëherë rezistenca jonë është e drejtuar karshi Qeverisë. Ajo çka po bëjmë ne, është se po e mbrojmë Kuvendin nga ky uzurpim që ia ka bërë Qeveria dhe në këtë rast, Kadri Veseli, për ta shndërrua atë në një arenë të shpëlarjes së vendimeve të pista të kësaj Qeverie. Këtë nuk do ta lejojmë kurrë", ka theksuar Ymeri.

Ai shtoi se marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, Kosovës pos tjerash i sjellin dëme edhe në aspektin ekonomik.

"Në radhë të parë fragmentarizohet tregu dhe atëherë do të kemi një treg në Kosovë, i cili nuk mund të konsiderohet se është unik. E dyta është që fragmentarizohen shërbimet dhe resurse e Kosovës, pra ndahen në dysh si tek energjia, telekomunikacioni, te resurset ujore, resurset minerale dhe resurset e tjera brenda territorit të ‘Zajednicës’ ose komunave me shumica serbe. Dhe, e treta, fragmentarizohen edhe të hyrat publike", ka shpjeguar Ymeri.

Sa i takon çështjes së demarkacionin me Malin e Zi, Besnik Bislimi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, i cili ishte i pranishëm në konferencën për media ka thënë se "pjesë e ekipit të komisionit për demarkacionin kanë qenë juristë dhe sociologë e asnjë gjeograf”.

Sipas Bislimit, gjeodetët e Kosovës vazhdimisht kanë dërguar prova se Kosova po humb territor, por komisioni në asnjë variant nuk ka shprehur interesim që t’i marrë parasysh.

"Nëse Isa Mustafa e ka shumë të lehtë, le të kërkojë një ekspertizë të pavarur ku do të ishin gjeodetët dhe hartografët, e jo sociologë e juristë dhe shumë lehtë do t'i ketë të gjitha argumentet”, është shprehur ai.

Opozita paralajmëron vazhdimin e bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës.

Tërheqja e nënshkrimeve të kryeministrit Isa Mustafa nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe dhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, janë vënë nga opozita si kushte të panegociueshme për zhbllokimin e punës së Kuvendit.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG