Ndërlidhjet

Turqia në zi

  • RFE /RL

Ankara

Ankara

Turqia ka nisur tre ditët e zisë për së paku 95 njerëzit e vrarë nga sulmet e së shtunës në Ankara.

Autoritetet kanë thënë se së paku 245 njerëz po ashtu janë plagosur.

Qeveria turke i ka cilësuar dy shpërthimet kundër një marshimi për paqe, si akt terrorist.

Kryeministri Ahmet Davutoglu ka thënë se ka shenja të fuqishëm se kamikazët kanë kryer shpërthimet.

Ato kanë ndodhur derisa një grup njerëzish është mbledhur për të kërkuar zgjidhje të konfliktit midis forcave turke dhe militantëve kurdë.

Marshimi, i cili më pas është anuluar, është organizuar nga partitë pro-kurde dhe majtiste.

Mijëra protestues më pas janë mbledhur në Stamboll, duke brohoritur parulla antiqeveritare dhe duke fajësuar qeverinë për sulmet me bomba në Ankara.

Pamjet televizive kanë treguar skena paniku dhe njerëz të shtrirë në tokë dhe të mbuluar me gjak.

Shpërthimet kanë ndodhur pranë stacionit kryesor të trenave, ku po zhvillohej një marshim, që bënte thirrje për t’i dhënë fund dhunës midis forcave turke dhe rebelëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se sulmet janë një akt i neveritshëm i terrorizmit.

“E dënoj fuqishëm këtë sulm të urryer mbi unitetin dhe paqen e vendit tonë. Pa marrë parasysh origjinën, qëllimin apo emrin, ne jemi kundër çdo forme të terrorizmit apo organizatave terroriste”, ka thënë Erdogan.

Sulmet kanë ndodhur në prag të zgjedhjeve parlamentare, që pritet të mbahen më 1 nëntor.

Partia Popullore Demokratike (HDP) në Turqi, subjekt ky opozitar pro-kurd, ka marrë pjesë në marshimin në Ankara dhe ka thënë se beson se anëtarët e saj kanë qenë shënjestër e sulmeve.

Lideri i HDP-së, Selahattin Demirtas, ka fajësuar shtetin për, siç ka thënë, “masakrën masive”, dhe ka anuluar të gjitha tubimet zgjedhore.

Kjo parti, edhe më parë, ka fajësuar qeverinë për sulme kundër aktivistëve kurdë - pretendime që hidhen poshtë nga autoritetet qeveritare.

Shtëpia e Bardhë ka lëshuar po ashtu një deklaratë, duke dënuar fuqishëm “sulmet e tmerrshme terroriste”.

“Fakti që këto sulme kanë ndodhur përpara një tubimi të planifikuar për paqe, nënvizon degjenerimin e atyre që qëndrojnë prapa tyre dhe shërben si një tjetër përkujtues i nevojës për t’u përballur me sfidat e përbashkëta të sigurisë në rajon”, ka thënë zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Ned Price.

Shefja për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, i ka bërë thirrje Turqisë që “të qëndrojë e bashkuar” kundër terroristëve dhe kërcënimeve të tjera ndaj vendit.

“Populli turk dhe të gjitha forcat politike duhet të qëndrojnë të bashkuara kundër terroristëve dhe të gjithë atyre që bëjnë përpjekje të destabilizojnë një vend”, ka thënë Mogherini në një deklaratë të përbashkët me komisionarin për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn.

“Ne qëndrojmë me gjithë popullin turk që punon për t’iu kundërvënë dhunës dhe terrorizmit”, kanë thënë zyrtarët evropianë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka dënuar po ashtu sulmet.

“Nuk mund të ketë asnjë justifikim për sulme të tilla të tmerrshme mbi njerëzit që marshojnë për paqe”, ka thënë Stoltenberg.

Disa korrespondentë thonë se tragjedia në Ankara është shenjë për kohë të errëta në Turqi. (v.tela)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG