Ndërlidhjet

logo-print

Turqia ka nisur ditët e zisë

  • RFE /RL

Turqia ka nisur tre ditët e zisë për së paku 95 njerëzit e vrarë nga sulmet e së shtunës në Ankara. Autoritetet kanë thënë se së paku 245 njerëz po ashtu janë plagosur, 48 nga ta në gjendje serioze.

Qeveria turke i ka cilësuar dy shpërthimet kundër një marshimi për paqe, si akt terrorist. Kryeministri Ahmet Davutoglu ka thënë se ka shenja të fuqishëm se kamikazët kanë kryer shpërthimet.

Në Ankara, të dielën janë mbledhur mijëra njerëz për të përkujtuar viktimat.

Partia Popullore pro-kurde, e cila ka organizuar marshimin e së dielës, ka thënë se 128 njerëz janë vrarë në sulme.

Protestuesit kanë fajësuar qeverinë për dështimet e sigurisë.

Përplasje të vogla kanë plasur të dielën, pasi policia ka ndaluar politikanët pro-kurdë dhe njerëz të tjerë të vënë lule në vendin ku kanë ndodhur sulmet. Policia i ka zmbrapsur ata, duke thënë se hetuesit janë duke punuar në vendin e ngjarjes.

Shpërthimet që kanë ndodhur 50 metra larg njëri-tjetrit, kanë pasur në shënjestër një marshim të paqes, i cili bënte thirrje për zgjidhjen e konfliktit midis forcave turke dhe militantëve kurdë, në pjesën juglindore të Turqisë.

Marshimi, i cili më pas është anuluar, është organizuar nga partitë pro-kurde dhe majtiste.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka dënuar, siç ka thënë ai, sulmet e urryera që kanë goditur “paqen dhe unitetin e vendit tonë”.

Erdogan ka anuluar vizitën e planifikuar zyrtare në Turkmenistan, ku, më 12 tetor, do të duhej të ndiqte një samit me kryetarët e shteteve të Azerbajxhanit dhe Turkmenistanit.

Kryeministri Davutoglu ka thënë se askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet, ndërsa ka përmendur si të dyshuar të mundshëm militantët e Shtetit Islamik dhe ata të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka biseduar me homologun e tij turk, duke i shprehur ngushëllime për të vrarët në, siç është shprehur, sulmet monstruoze.

Agjencia Anadolu, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, ka raportuar se Obama ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë të anohet kah Turqia në luftën kundër terrorizmit.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka dërguar po ashtu telegram ngushëllimi Erdoganit, duke i shprehur gatishmërinë e Rusisë “për të punuar së bashku me autoritetet turke në kundërshtimin e kërcënimit terrorist”.

Sulmet kanë ndodhur në prag të zgjedhjeve parlamentare në Turqi, që pritet të mbahen më 1 nëntor.

Ato janë cilësuar si ngjarja më vdekjeprurëse e tillë në historinë moderne të Turqisë. (v.tela)

XS
SM
MD
LG