Ndërlidhjet

Fushata e Putinit në Siri zemëron myslimanët, rrit rreziqet


Vladimir Putin

Vladimir Putin

Me minaren e lartë dhe kupolën e artë, Xhamia e Madhe në Moskë, e cila është hapur muajin e kaluar nga presidenti rus, Vladimir Putin, është cilësuar nga myslimanët si shenjë e pranimit më të madh të tyre në Rusinë me shumicë të krishterë.

Por, vetëm disa ditë më vonë, besimtarët shprehin frikë nga fushata ajrore e Kremlinit në Siri.

“Çfarë bëjmë ne atje? Le ta zgjidhin vetë problemin”, thotë Akhmad Bragimov, pensionist tatar, 79 vjeç.

Rusia ka nisur papritur fushatën e sulmeve ajrore kundër kundërshtarëve të presidentit sirian, Bashar al-Assad, më 30 shtator. Është ky aksioni më i madh ushtarak i Moskës jashtë hapësirës së ish-Bashkimit Sovjetik.

Putin shpreson të mbështesë Assadin, të forcojë ndikimin e Rusisë në Lindjen e Mesme dhe të sfidojë dominimin e Shteteve të Bashkuara.

Por, ai po ashtu rrezikon të rrëshqasë në një luftë të kushtueshme dhe të thellojë shumë sfidat me të cilat përballet Rusia, përfshirë kërcënimet e sulmeve terroriste në tokën ruse.

“Kjo mund të bëhet një Afganistan i dytë”, thotë Aidyn Gadzhiyev, 65 vjeç, nga Dagestani, duke iu referuar fushatës shkatërruese ushtarake të Bashkimit Sovjetik nga viti 1979 deri më 1989.

Në Rusi jetojnë rreth 15 milionë myslimanë, kryesisht sunitë. Shumë e mbështesin fushatën e fundit të Kremlinit, por rrymat e mosmiratimit janë po ashtu të dukshme, edhe pse nuk shprehen publikisht.

Arsyet për kundërshtime janë të shumta. Ashtu si edhe Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, disa thonë se Rusia është duke bombarduar më shumë grupet e moderuara rebele sesa të ashtuquajturin Shtet Islamik, vetëm për të forcuar Assadin.

“Natyrisht, jo të gjithë myslimanët e Rusisë e shohin Assadin si armik”, thotë Ivan Sukhov, gazetar në të përditshmen ruse Kommersant dhe ekspert për Kakukazin Verior dhe Islamin.

“Por, një numër i madh i tyre e shohin si armik, sepse është komunitet kryesisht sunit. Situata në Siri u duket atyre si luftë e Assadit kundër sunitëve. Në këtë situatë, duke mbështetur Assadin, Rusia i është bashkuar luftës kundër sunitëve”, thotë Sukhov.

Shumica dërrmuese e myslimanëve nga Rusia dhe ish-republikat e tjera sovjetike i takojnë degës sunite të Islamit. Përjashtim bën Azerbajxhani, ku shumica janë shiitë, ashtu si edhe aleati i Assadit, Irani.

“Mjafton të shihen rrjetet sociale për të parë se si myslimanët, jo vetëm që diskutojnë për veprimet ruse në Siri, por edhe i dënojnë ato”, thotë Bakhrom Khamroyev, aktivist i të drejtave të njeriut në qendrën Memorial të Moskës.

Ai shton se shumë myslimanë rusë mbështesin qëllimin e deklaruar të Kremlinit për luftë kundër Shtetit Islamik, por shumë besojnë se Kremlini është duke sulmuar grupet e tjera militante në Siri.

“Rusia nuk është duke sulmuar Shtetin Islamik. Ajo po sulmon Frontin al-Nusra dhe grupin salafist rebel Ahrah al-Sham. Askush nuk do që të flasë për këto dy grupe, por në kuptimin politik ushtarak, ato kanë njerëz të arsyeshëm në mesin e tyre. Ne, myslimanët, nuk shohim krime në veprimet e tyre”, thotë Khamroyev.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në koalicionin që po kryen sulme ajrore kundër caqeve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, kanë kritikuar ashpër fushtaën ruse, duke thënë se Moska është duke sulmuar kryesisht pozicionet e rebelëve që nuk janë të lidhur me Shtetin Islamik, me qëllimin e vetëm për të forcuar Assadin.

Kremlini ka hedhur poshtë krtikat, por, sidoqoftë, rritja e mbështetjes për Assadin dhe sulmet kundër myslimanëve sunitë paraqesin rreziqe për shtetin rus.

Në një vend, ku besimi dhe ndjenjat fetare janë rritur që nga rënia e Bashkimit Sovjetik Komunist, më 1991, Putin është përpjekur të përmbajë tensionet midis rusëve ortodoksë dhe pakicave myslimane nga Kaukazi Verior dhe rajonet e tjera.

Fushata në Siri e bën këtë detyrë më të vështirë, me gjithë mbështetjen e liderëve të rëndësishëm fetarë, të cilët janë besnikë ndaj Kremlinit.

Kreu i Këshillit të Myftive të Rusisë, Ravil Gaynutdin, u ka bërë thirrje myslimanëve që të mos e “politizojnë” këtë çështje dhe të mos lejojnë mbjelljen e përçarjes brenda tyre.

Khamroyev thotë se klerikët myslimanë janë nën presion për të mbështetur fushatën e Moskës në Siri.

“E kuptojmë shumë mirë se ka njerëz në Rusi që janë kritikë ndaj veprimeve të Rusisë, por ndaj tyre ka presion”, thotë ai.

Mendohet se disa mijëra myslimanë nga Rusia dhe ish-Bashkimi Sovjetik janë duke luftuar për grupet militante islamike në Siri.

Shefi i stafit të Putinit ka thënë më 30 shtator se myslimanët nga ish-Bashkimi Sovjetik janë duke iu bashkuar Shtetit Islamik “nga ora në orë”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG