Ndërlidhjet

logo-print

Prishtina gdhin me pasojat e protestave që eskaluan në dhunë


Pas protestave të mbrëmshme që pasuan me ndalimin në polici të ish-liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilat eskaluan në dhunë mes aktivistëve të Vetëvendosjes dhe forcave të rendit, situata e sigurisë në Prishtinë sot është relativisht e qetë.

Autoritete nga Qendra Klinike Universitare të Kosovës kanë konfirmuar se si pasojë e përleshjeve mes protestuesve dhe policisë, në Klinikën Emergjente, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 15 persona.

Prej tyre 14 të plagosur janë policë dhe një qytetar.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha se pas protestave të mbrëmshme me urdhër të prokurorit janë ndaluar nëntë persona.

“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante është duke kryer hetime në vendet e ngjarjeve në të gjitha lokacionet ku janë konsideruar dëme të mëdha e të konsiderueshme, si dhe thyerja e objektit të stacionit policor(pjesët sipërfaqësore), djegies se dy automjeteve zyrtare pranë ish-objektit të prokurorisë dhe dëmtimit të diku 6 deri në 8 automjeteve zyrtare”, tha Kelani.

Frashër Krasniqi zyrtar për marrëdhënie me media në Lëvizjen Vetëvendosje tha për Radion Evropa e Lirë se janë lënduar më shumë se dhjetë aktivistë dhe qytetarë.

“Ne kemi disa rastet të raportimeve të lëndimeve; tri prej tyre janë më serioze në kokë, dorë dhe fytyrë”, tha Krasniqi.

Protesta e mbrëmshme eskaloi pasi që protestuesit kanë gjuajtur gurë dhe gjësende të tjera të forta në drejtim të Policisë së Kosovës.

Pasojat e protestave vërehen edhe sot në qendër të Prishtinës, ku shihen demolime të lokaleve afariste, të makinave dhe gurë në rrugë që ishin përdorur gjatë këtyre përplasjeve.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pak pas mesnatës është liruar nga Policia e Kosovës, pasi ishte ndaluar në mbrëmjen e së hënës deri sa po kthehej nga një udhëtim zyrtar.

Kurti, pasi është liruar ka mbajtur një fjalim para aktivistëve të lëvizjes në sheshin "Skënderbe”, në Prishtinë.

Ai ka treguar se është liruar nga policia pasi nuk kishte ardhur asnjë prokuror për ta intervistuar ashtu siç e kishte njoftuar policia.

“Aty në stacionin e policisë erdhën tre policë të njësisë hetimore për krime të renda dhe me dërguan në disa zyra. Ata me premtuan se së shpejti do të vij prokurori. Nuk erdhi prokurori. U ndalova u arrestova e u lirova pa asnjë dokument të shkruar. Ky është arbitraritet i plotë. Dhe besoj së kjo është edhe një dëshmi se në Kosovë edhe politika është bërë policorë që besa edhe policia është bërë politike për pasoj”, tha Kurti para simpatizantëve të tij, duke treguar se në asnjë pyetje nuk iu është përgjigjur hetuesve policor.

Kurti tha se si opozitë nuk do të ndalën së vepruari për të ndaluar formimin e Asociacioni të Komunave me shumicë serbe dhe kundërshtimin e demarkacioni të kufirit me Malin e Zi.

“Ne duhet të qëndrojmë të vendosur edhe brenda Kuvendit të republikës edhe nëpër rrugët e qyteteve e fshatrave të republikës, posaçërisht këtu në kryeqytetin e republikës dhe t’i ndalim një herë e përgjithmonë projektet e Serbisë”, tha ai.

Gjatë kohës sa ka qenë i ndaluar Kurti, autoritetet e rendit në Kosovë kanë përdorur gazin lotsjellës në orët e vona të mbrëmjes në Prishtinë, për të shpërndarë turmën e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë se me urdhër të prokurorit kompetent, Kurti ishte ë dërguar në mbajtje dhe procedura të tjera.

Zoti Kurti është ndaluar për shkak se kishte hedhur gazin lotsjellës në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje dhe dy partitë tjera politike në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë bllokuar seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës, në shenjë kundërshtimi me marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.

Opozita në Kosovë është zotuar se nuk do të heqë dorë nga bllokada e Kuvendit të Kosovës deri në tërheqjen e nënshkrimit nga ana e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, nga marrëveshja e arritur me Serbinë më 25 gusht, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Këtë marrëveshje, institucionet ndërkombëtare dhe ato vendore në Kosovë e kanë cilësuar si arritje, kurse forcat politike në opozitë e shohin si hap drejt ndarjes territoriale të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG