Ndërlidhjet

logo-print

Analistët: Partitë politike po e dështojnë shtetin e Kosovës


Pamje nga protesta e së hënës

Pamje nga protesta e së hënës

Vendosja e dialogut ndërmjet pushtetit dhe opozitës është rruga e vetme për tejkalimin e gjendjes së tensionuar politike në Kosovë, thonë analistët në Prishtinë.

Sipas tyre, edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duhet të përfshihet duke i shfrytëzuar autorizimet kushtetuese për funksionimin e institucioneve.

Mungesa e iniciativës nga pushteti për vendosjen e dialogut me opozitën, apo kundërshtimi që opozita u bën marrëveshjeve ndërkombëtare, siç është ajo për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të mbështetur nga vendet që e ndihmuan shtet-ndërtimin e Kosovës, nga publicisti Belul Beqaj konsiderohen si qasje të rrezikshme.

Sipas tij, në rast se nuk ka zgjidhje tjetër, spektri politik do të duhej të ndërtonte një platformë mbi bazën e të cilës vendi do të shkonte në zgjedhje të reja të parakohshme.

“Karshi kërkesave për anulimin e nënshkrimeve të marrëveshjeve të Brukselit dhe rishikimin e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, më parë do t’i relativizonte raportet kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit. Largimi i tij dhe formimi i një qeverie të karakterit të ekspertëve do ta stabilizonte potencialisht situatën dhe në afatin relativisht të mesëm do të krijoheshin parakushtet për normalizimin e rrethanave dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, ka deklaruar Beqaj.

Në anën tjetër, publicisti Halil Matoshi mendon se pavarësisht rezultateve partitë në pushtet dhe ato në opozitë do të duhej të negocionin.

Ai e fton edhe presidenten e Kosovës që t’i shfrytëzojë autorizimet kushtetuese, sipas të cilave ajo duhet të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve.

Në këtë mes, një rol të veçantë Matoshi e parasheh edhe tek ndërmjetësimi i faktorit ndërkombëtar, ngaqë spektrin politik në vend e cilëson si tashmë të “çoroditur”.

“Në këtë situatë mund të ndihmojnë edhe ambasadorët e shteteve të kuintit, përkatësisht të Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e vetmja mënyrë për të dalë nga bllokada do të ishte një marrëveshje e re, kontratë e re mes pushtetit dhe opozitës. Varianti tjetër do të ishte përdorimi i dhunës legjitime të shtetit, përkatësisht sigurimi i Kuvendit përmes mekanizmave shtetëror”, ka theksuar Matoshi.

Bllokimin e punës së institucioneve, Halil Matoshi e konsideron si një gjest të papranueshëm, pasi që, mes tjerash, një veprim i tillë, sipas tij, mund të krijon një precedent të rrezikshëm edhe për të ardhmen.

“Në demokraci pushteti i takon shumicës, por të drejtat gjithashtu i takojnë pakicës. Por, pa negociata, dialog politik nuk do të duhej që tutje të zvarritet apo të bllokohet shtëpia e sovranit, përkatësisht Kuvendi i Kosovës”, ka nënvizuar Matoshi.

Ndërkohë, Belul Beqaj vlerëson se mungesa e dialogut do të shpinte Kosovën drejt një situate të paparashikueshme, çka është vërtetuar edhe me zhvillimet e fundit, qoftë në Kuvendin e Kosovës apo edhe me protestat e dhunshme.

“Po shihet qartazi që nga opozita po bëhet një përpjekje për t’i instrumentalizuar qytetarët, ndërkaq në anën tjetër (nga pozita) po bëhet një përpjekje që të instrumentalizohen edhe mekanizmat e pushtetit. Një ballafaqim i qytetarëve të instrumentalizuar dhe mekanizmave të pushtetit të instrumentalizuar vetëm sa do ta dobësonte shtetin e Kosovës dhe do ta shpinte në drejtim të shtetit të dështuar”, ka thënë Beqaj.

Përplasjet dhe rritja e tensioneve politike mes pushtetit dhe opozitës ka pasuar nënshkrimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Kjo marrëveshje sipas opozitës e defunksionalizon shtetin dhe i hap rrugë ndarjes së Kosovës. Po ashtu, pakënaqësitë e opozitës janë rritur edhe pas marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, për të cilën pretendon se Kosova ka humbur nga territori i saj.

Andaj, tani opozita ka bllokuar punën e Kuvendit me kërkesën që zhbllokimi do të ndodhë vetëm nëse Isa Mustafa i tërheq nënshkrimet nga këto marrëveshje.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG