Ndërlidhjet

Kërkohet zgjidhje urgjente për fëmijët lypsarë


Foto nga arkivi / Prishtinë

Foto nga arkivi / Prishtinë

Ka disa vite që Kosova po ballafaqohet me fenomenin e fëmijëve lypsarë nëpër rrugët e qyteteve më të mëdha.

Organizata të ndryshme që merren me të drejtat e fëmijëve në Kosovë, thonë se numri i fëmijëve lypsarë mbetet ende i madh, ndonëse nga viti në vit po shënon rënie.

Sipas informatave të publikuara në një debat të thirrur nga misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), del se në Kosovë 70 për qind e fëmijëve lypsarë vijnë nga Shqipëria.

Në këtë debat, të organizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Terre des Hommes, është folur për atë se sa u shkelen të drejtat fëmijëve lypsarë.

Alketa Lasko, zëvendës drejtoreshë e fondacionit ‘’Terre des Hommes’’ në Kosovë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është fenomen shumë shqetësues shfrytëzimi I fëmijëve në rrugë, derisa jep hollësi të tjera për problemet me të cilat ballafaqohen.

"Në Kosovë problematika kryesore është se ne nuk kemi qendra që ofrojnë shërbime emergjente, për fëmijët lypsarë. Tash kur kushtet atmosferike janë të ftofta dhe kemi bebe dhe fëmijë të vegjël që rrinë në rrugë dhe kërkojnë lëmoshë, dhe qendra për Punë Sociale nuk ka buxhet specifik për t'i trajtuar këto raste emergjente".

"Ne po lobojmë që ta adresojmë këtë problematikë, në një nen brenda projektligjit për të drejtat e fëmijëve", ka theksuar Lasko.

Këshilltarja e ministrit, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatlume Jaha, ka thënë se tash për tash nuk kanë mundësi të ofrimit të shërbimeve emergjente, derisa shton se janë duke punuar në atë që në të ardhmen t'ju ofrojnë një mirëqenie sa më të mirë fëmijëve që kanë nevojë.

"Ne si Ministri e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me anë të decentralizimit kemi arritur që qendrat për punë sociale të kalojnë nën ombrellën e komunave, dhe është përgjegjësi e tyre që të ofrojnë direkt shërbime".

"Por, ajo që është problematike në këtë mes, se ende nuk ka mundësi të intervenohet në raste emergjente aty për aty. Por, ne jemi duke punuar që me anë të ligjit dhe politikave në të ardhmen do të mundohemi që të ofrojmë një mirëqenie sa më të mirë për këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë, aq sa në a lejojnë mundësitë buxhetore", tha Jaha.

Në anën tjetër, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, i cili gjithashtu ishte prezent në këtë takim, ka thënë se ndonëse po punohet në atë që të bëhet presion më i madh në kontrollin e kufirit, lëvizja e lirë është e pamohueshme, andaj edhe një përqindje e madhe e fëmijëve lypsarë me familjet e tyre në Kosovë, vijnë nga Shqipëria.

"Unë mendoj që presioni më i madh duhet bërë në kufirin me Shqipërinë. Por, është një akt që është vështirë për tu kontrolluar. Mendoj se përpara institutcioneve duhet të sensibilizohet edhe shoqëria, sepse ne jemi mëkatarë duke i ndihmuar fëmijët me një sasi të vogël parash, duke u bërë akterë të përkeqësimit të gjendjes së tyre sociale".

"Ne duhet të ngrejmë zërin dhe të sensibilizojmë në radhë të parë vetveten, pasi që mendoj se institutcionet bëjnë konferenca shumë, institutcionet flasin, por në teren dhe praktikë jo aq".

Por, autoritetet e rendit thonë se kanë arritur që ta zvogëlojnë numrin e fëmijëve lypsarë nëpër rrugë, falë punës së përditshme që po bëhet.

Fahredin Rukovci, drejtor i Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, jep hollësi të tjera.

"Vitin e kaluar nga janari deri në shtator 2014, kemi pasur 484 raste të largimit nga rruga të fëmijëve dhe i janë referuar organizatave joqeveritare që ata fëmijë të risocializohen dhe integrohen në shoqëri".

"Në periudhën e njejtë, këtë vit kemi pasur 110 raste, që do të thotë se falë përkushtimit kemi arritur që këtë dukuri ta zvogëlojmë".

Sidoqoftë Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, ka thënë se komunat duhet të ndajnë buxhet për shërbime sociale, në mënyrë që mbrojtja e fëmijëve të jetë cilësore.

"Një çështje që në vazhdimësi e kemi ngritur është çështja e buxhetit për shërbime sociale në komuna. Komunat nu kanë një grant specifik për shërbime sociale dhe nuk mund të reagojnë ndaj rasteve me cilësinë dhe sasinë e duhur".

"Kjo është një çështje që po vazhdon me vite dhe ende nuk është zgjidhur. Mendoj se duhet sa më shpejtë komunat të ndajnë buxhet për shërbime sociale. Pa buxhet dihet se nuk mund të kemi edhe shërbime cilësore".

Ndryshe në Republikën e Kosovës, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përqindja e fëmijëve të moshës 5-17 vjeç të cilët janë të angazhuar në punë, ka dalur të jetë 10.7% .

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG