Ndërlidhjet

logo-print

Mosmarrëveshje për heqjen e “Parkut të paqes”


Zbatimi i marrëveshjes për largimin e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” në urën kryesore mbi lumin Ibër, që ndan veriun dhe jugun e Mitrovicës, është paraparë të nis me 15 tetor, por, mosmarrëveshjet ndërmjet dy komunave të të njëjtit qytet, lidhur me kufijtë administrativ të tyre, ka dalë si pengesë e mundshme për zbatimin e kësaj marrëveshje.

Agim Bahtiri, kryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, e banuar me shumicë shqiptare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, këmbëngul se projekti për heqjen e të ashtuquajturit “Parku i paqes” dhe revitalizimit të urës kryesore mbi lumin Ibër, të cilin e ka marrë përsipër ta realizojë Këshilli Evropian, do të nisë sipas afatit të paraparë me marrëveshjen në Bruksel, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovë dhe Serbisë.

“E vërteta është se nesër nis fillimi i heqjes së ‘Parkut të paqes’, pavarësisht kundërshtimeve të disa njerëzve. Kjo është një marrëveshje ndërkombëtare e cila është lidhur, është përcaktuar data dhe ajo duhet të zbatohet pikë për pikë dhe me datë të caktuar. Kjo është ajo që do të ndodhë nesër (15 tetor)”, ka thënë Bahtiri.

Në anën tjetër, pavarësisht përpjekjeve të Radios Evropa e Lirë për të marrë mendimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, lidhur me çështjen e heqjes së të ashtuquajturit “Parku i paqes” , për të cilën Bahtiri insiston se do të nis më 15 tetor, ai nuk ka qenë i qasshëm.

E pa qasshme ka qenë edhe ministrja e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri.

Por, Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative e Qeverisë së Kosovës në veri, thotë për Radion Evropa e Lirë se revitalizimi i urës kryesore mbi lumin Ibër, aty ku është i ashtuquajturi “Parku i paqes”, duket se nuk do të fillojë brenda afatit të paraparë.

“Aq sa unë mund ta vlerësoj situatën, mendoj se revitalizimi i urës nuk do të fillojë në afatin, i cili është planifikuar, sepse për sa jam e njoftuar nuk është arritur marrëveshja rreth nënshkrimit të memorandumit për ndarjen administrative të kufijve të komunës veriore dhe asaj jugore të Mitrovicës. Gjoja, ky ka qenë parakushti për të nisur punimet në urë”, tha Hoxhiq.

Ajo shton se mosmarrëveshjet janë krijuar kinse për shkak të paqartësive të ndarjeve administrative të kufijve të dy komunave, ku sipas hartës zyrtare, pjesa e epërme dhe e ultë e fshatit Suhodoll, i takojnë Komunës jugore të Mitrovicës.

Ndërkaq, sipas saj, në zgjedhjet e kaluara lokale, banorët e këtij fshati kanë votuar për zgjedhjen e kryetarit dhe përfaqësuesve lokal të Komunës së veriut të Mitrovicës.

“Kjo është kontradiktore. Ne i kemi njerëzit që në procesin zgjedhor janë zgjedhur të jenë këshilltarë të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut dhe ata vendosin për vendimet që kanë të bëjnë me Komunën e Mitrovicës së veriut, ndërkaq, në të vërtetë, ai territor i takon Mitrovicës së jugut".

"Kritika ime për të gjithë ata njerëz që marrin pjesë në bisedime për këtë çështje, është se për të gjitha çështjet po pritet minuta e fundit”, tha Hoxhiq.

Megjithatë, kryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, Bahtiri, ka theksuar se ka qenë i gatshëm që të nënshkruaj marrëveshjen për përcaktimin e kufijve administrativ, “ashtu sikur që ishte paraparë me planin e Ahtisarit dhe që ishte miratuar nga Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së jugut, si dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, që e ka miratuar Ligjin për kufijt administrativ komunal”.

Ai e ka akuzuar kryetarin e Mitrovicës së veriut se “nuk dëshiron ta nënshkruaj marrëveshjen për përcaktimin e kufijve administrativ”.

Bahtiri ka insistuar që në rast se nuk zbatohet marrëveshja sipas afatit, ai do të kërkoj nga Qeveria e Kosovës që të shqyrtojë nëse do t’i zbatojë të katër marrëveshjet e arritura në pako së fundmi në Bruksel, me 26 gusht.

“Në qoftë se nuk fillohet me urën, atëherë unë do të kërkoj nga Qeveria e Kosovës dhe Brukseli që të katër marrëveshjet (të 26 gushtit në Bruksel), të bien. Në qoftë se një kryetar komune mendon apo dikush, mendon se mund ta ndërrojë të gjithë planin për të cilin jemi marrë vesh, për të katër marrëveshjet, të cilat janë nënshkruar, atëherë le ta marrë përgjegjësinë ai. Ne do të jemi në konsultime që çdo datë të respektohet”.

I ashtuquajturi “Parku i paqes” mbi urën kryesore mbi lumin Ibër, është vendosur me 18 qershor të vitit 2014, vetëm disa orë pas heqjes së barrikadës së mëparshme me rërë dhe gurë, nga ana e autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG