Ndërlidhjet

logo-print

Njohësit e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, konsiderojnë se Kosova disa herë e ka humbur mundësinë për shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Humbja e mundësisë sipas ekspertëve ka të bëjë me mungesën e aftësisë se lidershipit, por siç thonë ata edhe të refuzimit të kësaj çështjeje nga përfaqësuesit e serbëve në Kuvendin e Kosovës.

Naim Maloku, njohës i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë se shndërrimi i FSK-së në FAK është mjaft i rëndësishëm për Kosovën.

Zoti Maloku konsideron se liderët politik në Kosovë dhe udhëheqësit e institucioneve, çështjen e ushtrisë nuk e kanë marrë seriozisht.

“Tash praktikisht nuk varet prej vullnetit të partive shqiptare. Kjo varet nga vullneti i Serbisë e cila e dirigjon Listën Serbe.E kanë ditur edhe partia që është në pushtet LDK-ja, nuk kanë dashur të ulen për bisedime me serbet në mandatin e kaluar. Këtë e dinë të gjithë".

"Përdorimi i FAK-ut në fjalorin politik është vetëm sa për ta përmendur. Ju po e shihni tash se PDK-ja, ushtrinë nuk e përmend më se ata e din që kjo ka humbur. As Hashimi (zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi) nuk e përmend më ketë punë”, tha Maloku.

Për formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës nevojiten ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që ato nuk mund të bëhen pa dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve që përfaqësojnë bashkësitë e pakicave në Kuvend.

Florian Qehaja, njohës i çështjeve të sigurisë, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thekson se shndërrimi i FSK-së në FAK, nuk ka rrugë tjetër, por vonesat janë evidente.

Qehaja konsideron se është momenti i fundit që kjo çështje të hyjë në agjendën e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Aprovimi dhe futja në agjendë të bashkësisë ndërkombëtare do të drejtonte jo vetëm te aprovimi i ndryshimeve kushtetuese për Forcën e Ardhshme, por edhe do të minimizonte potencialin për përdorim të forcës apo organizim të protestave”, tha Qehaja

Qehaja thotë se në gjendjen e tanishme politike në të cilën ndodhet Kosova, nuk ka mundësi që të ketë ndonjë incim për ndryshimet kushtetuese të cilat mundësojnë shendrrimin e FSK-së në FAK.

“Duke pasur parasysh diskursin aktual, nuk shoh zgjidhje në miratimin e ndryshimeve kushtetuese”, u shpreh Qehaja.

Zyrtarët nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thonë se FSK-ja, tashmë ka realizuar gjithë programin e saj për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale sipas misionit që ka pasur dhe se, sipas tyre, ato kapacitete janë pranuar nga NATO.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka dalë nga Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, e cila ishte pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktualisht 2,263 është numri i pjesëtarëve të FSK-së, ku 478 janë aktivë.

Nga përbërja e përgjithshme e këtyre pjesëtarëve 8.91 për qind janë nga komunitetet pakicë.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG