Ndërlidhjet

Maqedoni: Opozita braktis bisedimet politike


Opozita në Maqedoni ka braktisur bisedimet për zgjidhjen e krizës politike në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Këshillit të Prokurorëve për të mos zgjedhur ekipin e prokurores speciale, Katica Janeva, e cila në bazë të marrëveshjes politike duhet të hetoj atë që njihet si aferë e përgjimeve.

“Për ne, marrëveshja politike e Përzhinos më nuk është aktive, nuk është funksionale pasi kjo marrëveshje është shkelur me vendimin e Këshillit të Prokurorëve Publik. Me të është shkelur edhe Ligji për Prokurorinë Speciale me të cilin parashihet zgjedhja e ekipit të prokurores. Ne tërhiqemi për konsultime të mëtejme“, ka deklaruar Oliver Spasovski, anëtar i grupit të punës nga Lidhja Social Demokrate e opozitës.

Reagimi i tillë i opozitës vjen pas njoftimit të prokurorit publik, Marko Zvërlevski se Këshilli nuk mund të votojë ekipin e prokurores, pasi sipas tij, bëhet fjalë për shkelje të dinjitetit të prokurorëve të tjerë dhe se ky trup sipas tij, paraqet mosbesim ndaj institucioneve tjera gjyqësore në vend.

“Mosbesimi ndaj prokurorisë publike të Maqedonisë dhe prokurorive tjera, është i pabazë. Ka shumë revoltë për zgjedhjen e një prokurorie tjetër paralele. Kjo, paraqet shkelje të dinjitetit të tërë prokurorisë, pasi me asgjë nuk është dëshmuar se ajo nuk punon. Nuk ka arsyeje për dyshime ndaj punës së këtij institucioni, që të formohet prokurori speciale. Ne, nuk jemi institucion politik dhe neve marrëveshjet politike nuk na interesojnë“, ka deklaruar kryeprokurori Zvërlevski duke paralajmëruar nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Prokurorinë Speciale.

Megjithatë, Këshilli i Prokurorëve ka zgjedhur shtatë prokurorë nga gjithsejt 14 sa duhet të numërojë ekipi i prokurores speciale, Katica Janeva.

Ajo tha se Këshilli ka shkelur marrëveshjen politike dhe Ligjin për Prokurorinë Speciale dhe bëri thirrje për zgjedhjen e anëtarëve sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Unë qëndroj në atë që të zgjidhet ekipi im. Këshilli ka shkelur ligjin, dhe vet Marrëveshjen e Përzhinos. Shpresoj se në afat sa më të shpejt do të korrigjohet vendimi dhe do të zgjidhen të gjithë anëtarët e ekipit“, ka deklaruar Janeva.

Ndryshe, baraktisja e bisedimeve nga opozita vjen pas njoftimit për arritjen e marrëveshjes mes partive për Kodin Zgjedhor, që u njoftua nga ndërmjetësi ndërkombëtar Piter Van Hojt.

Pas bisedimeve disa ditore, partitë janë marrë vesh për pikat më të ndjeshme, votimin e diasporës dhe votimin brenda Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Sipas marrëveshjes, diaspora do të jetë një njësi zgjedhore nga tre sa ishin aktualisht ndërsa zgjedhja e deputetit do të mund të bëhet me më së paku 6400 vota, aq sa zgjidhet një deputet në një njësi zgjedhore në Maqedoni.

Sa i përket KSHZ-së, marrëveshja parashikon që vendimet të mund të kthehen në rishqyrtim nëse një anëtar vlerëson se shkilen të drejtat e një komuniteti.

Por, kjo marrëveshje është vënë në pikëpyetje nga zhvillimi tjetër me prokurorinë speciale.

Sipas LSDM-së, marrëveshja do të jetë e pavlefshme nëse Këshilli i Prokurorëve nuk zgjedh ekpin e prokurores speciale për të nisur hetimin e aferës së përgjimeve ku janë të përfshirë zyrtarët më të lartë shtetëror, përfshirë edhe kryeministrin, Nikolla Gruevski.

XS
SM
MD
LG