Ndërlidhjet

IS-i, al-Nusra: Ndizni “xhihad” në Rusi!

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Edhe grupi militant i Shtetit Islamik (IS), edhe Fronti al-Nusra, degë e Al-Kaidës, kanë bërë thirrje këtë javë për sulme kundër Rusisë, e cila vazhdon fushatën e bombardimeve në Siri, edhe pse jo kundër caqeve të Shtetit Islamik.

Grupi ekstremist ka thyer heshtjen më 13 tetor me një audio-mesazh, që bën thirrje për “xhihad” kundër Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Fjalimi 40-minutësh i zëdhënësit të Shtetit Islamik, Abu Mohammed al-Adnani, apelon te të “rinjtë islamikë” që të ndezin xhihad, apo luftë të shenjtë, kundër rusëve dhe amerikanëve.

“Rusia do të mposhtet”, ka thënë al-Adnani.

Mesazhi i tij duket të jetë deklaraimi i parë zyrtar i Shtetit Islamik, i cili i referohet Rusisë, prejse kjo e fundit ka nisur fushatën e bombardimeve në Siri, më 30 shtator.

Heshtja e Shtetit Islamik nuk është e çuditshme, marrë parasysh se sulmet ajrore ruse kanë goditur kryesisht rivalët e grupit ekstremist, Frontin al-Nusra dhe Ushtrinë e Lirë Siriane, grup i rebelëve të moderuar, që mbështetet nga Perëndimi.

Në fakt, prejse kanë nisur sulmet ruse, Shteti Islamik ka bërë avancime kundrejt rebelëve sirianë në provincën Alepo.

Por, a është e rastësishme që al-Adnani ka kërcënuar Rusinë vetëm një ditë pasi rivali i tij, lideri i Frontit al-Nusra, Abu Mohammad al-Jolani, u ka bërë thirrje militantëve në Kaukazin Verior që të sulmojnë civilët dhe ushtarët rusë, në përgjigje të sulmeve ajrore të Moskës?

“Nëse ushtria ruse vret njerëz të Sirisë, atëherë vrisni njerëzit e saj. Nëse ata vrasin ushtarët tanë, ju vrisni ushtarët e tyre”, ka thënë al-Jolani.

Në Moskë nuk ka pasur sulme qysh në janar të vitit 2011, kur një sulmues vetëvrasës ka vrarë 37 veta në Aeroportin Ndërkombëtar Domodedovo.

Por, autoritetet ruse kanë thënë më 12 tetor se kanë parandaluar një sulm të madh terrorist në kryeqytet.

Shërbimi Federal i Sigurisë ka thënë se të përfshirët në komplot – të gjithë shtetas rusë – kanë bërë trajnime luftarake në Siri.

Mediat ruse kanë raportuar se gjykata ka dërguar në paraburgim deri në dhjetor tre të dyshuar: Mokhmad Mezhidov, Elman Ashaev dhe Aslan Baysultanov.

Qëllim i sulmeve të planifikuara ka qenë t’i jepet fund pjesëmarrjes së forcave ruse në operacione kundër Shtetit Islamik në Siri, kanë thënë hetuesit.

Por, sipas raporteve, organizatori i dyshuar i sulmeve ka qenë një militant nga Kabardino-Balkaria, që policia ka kërkuar për më shumë se një dekadë, duke sugjeruar se ky individ nuk ka gjasa të ketë qenë në Siri.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG