Ndërlidhjet

Qeveria dënon sulmin me gaz lotsjellës në Kuvend


Foto ilustruese.

Foto ilustruese.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka dënuar përdorimin e sërishëm të gazit lotsjellës helmues në seancën e Kuvendit të Kosovës “me të cilin sërish është sulmuar Kuvendi i Kosovës dhe është rrezikuar shëndeti dhe jeta e të zgjedhurve të popullit të Kosovës,” thuhet në njoftim.

“Qeveria e Kosovës i konsideron sjellje të papërgjegjshme dhe në shpërputhje me çdo kod etik, moral dhe praktikë demokratike, veprimet e kundërligjshme dhe anarkike që përfaqësuesit e pakicës politike po ushtrojnë ndaj institucioneve dhe të zgjedhurve të popullit, duke përdorur mjete luftarake, me qëllim që të pengojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës.”

Qeveria e Republikës së Kosovës i ka bërë thirrje “përfaqësuesve të opozitës që të heqin dorë nga dhuna dhe sulmet mbi institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe që agjendat e tyre politike të përpiqen t’i realizojnë përmes mjeteve demokratike.”

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj maksimal për debat të bazuar në rregullat demokratike dhe brenda institucioneve përfaqësuese, me qëllim të ruajtjes së konsensusit nacional, si dhe të përkrahjes së partnerëve ndërkombëtarë, SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, për procese madhore që lidhen me të ardhmen e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës dhe që janë vullneti suprem i popullit të Kosovës,” përfundon komunikata e qeverisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG