Ndërlidhjet

logo-print

Opozita bllokon Kuvendin me gaz lotsjellës


Pamje nga seanca e së enjtes

Pamje nga seanca e së enjtes

Opozita ka përdorur sërish gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës me çka ka pamundësuar vazhdimin e punimeve.

Me të filluar seanca, deputetët opozitarë janë mbledhur te foltorja e Kuvendit dhe më pas kanë hedhur edhe gazin lotsjellës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka cilësuar këtë si një veprim të turpshëm dhe ka shpallur pauzë e cila më vonë u shndërrua në ndërprerje të seancës.

Përderisa deputetët dhe i gjithë personeli po largoheshin nga ambientet e mbyllura të përfshira me gazin lotsjellës, opozitarët janë pritur para dyerve të Kuvendit nga një grup i simpatizantëve të tyre.

Nga aty, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj dhe ai i partisë Nisma, Fatmir Limaj, kanë thënë se nuk do të lejohen punimet e Kuvendit përderisa Qeveria e Kosovës të mos e tërheq nënshkrimin nga marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Përderisa, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se gazin lotsjellës kësaj radhe e kanë siguruar edhe me ndihmën e policisë së Kosovës.

“Herën e parë gazin lotsjellës e kemi marrë prej protestave (të janarit). Kurse kësaj radhe e kemi marrë edhe prej segmenteve të caktuara të policisë të cilat janë shumë të shqetësuara se çfarë po i ndodhë Kosovës të cilët janë të gatshëm të na furnizojnë sepse kjo që po i ndodhë Kosovës me “Zajdenicën” (term që Vetëvendosje përdorë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe) dhe demarkacionin me Malin e Zi, është edhe copëtim i brendshëm etnik edhe rrudhje e territorit të brendshëm të Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.

Ndaj deputetit Konjufca ka reaguar Policia e Kosovës e cila përmes një deklarate me shkrim, e ka demantuar atë duke i cilësuar pohimet e tij si një luftë speciale kundër Policisë së Kosovës.

Situata e krijuar, ka mbledhur në një takim të gjatë edhe Kryesinë e Kuvendit të Kosovës dhe shefat e grupeve parlamentare, por pa përfaqësuesit e opozitës.

Pas konsultimeve të gjata me partitë e koalicionit dhe Kryesinë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka lexuar një deklaratë përmes së cilës ai i ka cilësuar të papranueshme sjelljet e opozitës.

Sipas tij, Kuvendi po keqpërdoret nga pakica opozitare dhe është zotuar se do t’i krijoj kushtet që puna e Kuvendit të vazhdoj.

“Unë si kryetar i Kuvendit bashkë me kryesinë do të përdorim të gjithë autoritetin tonë denjësisht për të siguruar punën normale në Kuvend. Për këtë qëllim do të vazhdojmë përpjekjet me opozitën për thirrje të arsyes dhe respektim të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit”, ka deklaruar Veseli.

Përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend e ka dënuar ashpër edhe Qeveria e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës i konsideron sjellje të papërgjegjshme dhe në shpërputhje me çdo kod etik, moral dhe praktikë demokratike, veprimet e kundërligjshme dhe anarkike që përfaqësuesit e pakicës politike po ushtrojnë ndaj institucioneve dhe të zgjedhurve të popullit, duke përdorur mjete luftarake, me qëllim që të pengojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Në anën tjetër, edhe tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku thuhet se mbeten të vendosura të mos lejojnë punimet e Kuvendit përderisa mbeten në fuqi marrëveshjet me Serbinë dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin.

Opozita kërkon nga Kryesia e Kuvendit që të mos thërras më seancë plenare, ngase çfarëdo insistimi në këtë drejtim, sipas tyre, është provokim dhe përshkallëzim i situatës në Republikën e Kosovës.

“Vetëm tërheqja nga këto marrëveshje do ta kthejë normalitetin institucional dhe shoqëror në Kosovë", thuhet në deklaratë.

Kjo nuk është hera e parë që opozita përdorë gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit, pasi që një veprim të ngjashëm ka ndërmarrë edhe javën e kaluar.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG