Ndërlidhjet

Afganistani mirëpret praninë e zgjatur të ushtrisë amerikane


Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani.
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani.

Qeveria e Afganistanit ka mirëpritur njoftimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, për zgjatjen e pranisë së trupave amerikane në Afganistan edhe pas vitit të ardhshëm.

Qeveria afgane ka lëshuar një deklaratë, duke vlerësuar vendimin dhe duke u zotuar se “do t’i përgjigjet frikës dhe terrorit me fuqi të plotë”.

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, ka shkruar në Twitter se e miraton vendimin.

“Mbetemi të vendosur për të forcuar marrëdhëniet në fushën e luftës kundër terrorizmit”, ka shkruar Ghani.

Presidenti Obama ka bërë të ditur të enjten se një forcë prej 9,800 ushtarësh amerikanë në Afganistan, do të mbetet atje deri në fund të vitit 2016 dhe se nuk do të tërhiqet gradualisht, ashtu siç ka qenë e paraparë më herët.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Obama ka thënë se misioni i forcave amerikane “nuk do të ndryshojë” dhe se ato do të vazhojnë të trajnojnë forcat afgane të sigurisë dhe të mbështesin operacionet kundër terrorizmit në Afganistan.

Obama ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë të mbajë 5,500 trupa në Afganistan edhe pas janarit 2017.

XS
SM
MD
LG