Ndërlidhjet

Kriza me migrantë: BE i ofron Turqisë 3 miliardë euro


Migrantë në Greqi, foto nga arkivi
Migrantë në Greqi, foto nga arkivi

Liderët e Bashkimit Evropian, pas takimit në Breuksel, kanë miratuar një plan veprimi për Turqinë, me shpresë se do të lehtësojë fluksin e migrantëve në Evropë.

Ata i kanë ofruar Turqisë 3 miliardë euro, si dhe perspektivë në liberalizimin e vizave dhe në bisedimet për anëtarësim në BE.

Udhëheqësit evropianë kanë thënë se kanë rënë dakord me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për të bashkëpunuar në përmirësimin e jetës për dy milionë refugjatët sirianë në Turqi.

“Jemi pajtuar me partnerët turq se procesi i liberalizimit të vizave do të përshpejtohet. Kjo nuk do të thotë se do të lëmë anash kriteret bazë, të cilat janë rregulla në atë fushë. Nuk do të ketë kritere të reja për Turqinë, por do të vlerësojmë përparimin e bërë në pranverë të vitit 2016”, ka thënë presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Afro 600,000 migrantë kanë arritur në BE këtë vit, shumica duke udhëtuar nga Turqia në Greqi dhe pastaj duke vazhduar drejt veriut.

Turqia ka bërë një sërë kërkesash në këmbim të ndihmës për të frenuar fluksin.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se shuma prej 3 mliliardë eurosh që ka kërkuar Ankaraja, është diskutuar dhe duket e arsyeshme.

“Çështja e parave ka luajtur rol, ashtu si edhe fillimi i një kapitulli të ri të negociatave të anëtarësimit me Turqinë”, ka thënë Merkel, e cila udhëton për në Turqi gjatë fundjavës.

Turqia ka kërkuar po ashtu krijimin e një “zone të sigurt” për refugjatët në veri të Sirisë, por zyrtarët evropianë kanë thënë se përfshirja ushtarake e Rusisë në Siri e ka komplikuar edhe më shumë idenë.

“Ndërhyrja ruse mund ta forcojë regjimin sirian, por ajo nuk do ta shpëtojë presidentin Bashar al-Assad. Regjimi është duke u përforcuar, sepse sulmet ajrore ruse godasin kryesisht zonat e kontrolluara nga opozita dhe shumë pak Daesh-in (Shtetin Islamik) ose Jabhar al-Nusrën”, ka thënë presidenti i Francës, Francois Hollande.

Në një tjetër zhvillim, të enjten vonë, një migrant, që besohet të ketë qenë afgan, është qëlluar për vdekje nga një roje kufitare e Bullgarisë, pas hyrjes në këtë vend nga Turqia.

Kryeministri bullgar, Boyko Borisov, ka lënë bisedimet në Bruksel me të dëgjuar lajmin.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG