Ndërlidhjet

Mungesa e zgjidhjes politike çon në destabilizim


Foto nga seanca e fundit në Kuvendin e Kosovës / 15 tetor
Foto nga seanca e fundit në Kuvendin e Kosovës / 15 tetor

Mungesa e veprimeve nga krerët e institucioneve të Kosovës për të tejkaluar mosmarrëveshjet politike ndërmjet pushtetit dhe opozitës, mund të ndikojë në përkeqësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, thonë njohësit e çështjeve të sigurisë dhe analistët.

Naim Rashiti, analist në Grupin Ballkanik për Politika, tha për Radion Evropa e Lirë se nga ajo që është parë dhe është thënë nga partitë politike opozitare në Kuvendin e Kosovës, gjendja e sigurisë në Kosovë mund të përkeqësohet.

Rashiti thekson se në ketë situatë nëse nuk ka veprime konkrete nga qeveria për një dialog ndërpartiak, opozita mund të ftojë qytetarët që të protestojnë në rrugë.

“Pakënaqësia e qytetarëve është shumë e madhe si në raport me qeverinë po ashtu edhe në raport me marrëveshjet e arritura. Mllefi i akumuluar mund të shprehet edhe përmes dhunës”.

“Nuk më shqetëson në ketë fazë kjo beteja pozitë - opozitë, por me shqetëson më shumë mungesa e veprimeve që çojnë në një drejtim tjetër më konstruktiv të të dyja palëve”, tha Rashiti.

Kurse, Burim Ramadani, ish deputet i Kuvendit të Kosovës, njohës i çështjeve të sigurisë, konsideron se gjendja politike në të cilën është futur Kosova, shumë lehtë mund të bartet edhe në sigurinë nacionale të vendit.

Ramadani konsideron se për të mos ardhur deri të një situatë ku mund të ketë përshkallëzim të sigurisë, duhet të gjenden mënyra për tejkalimin e kësaj situate.

“Nuk e besoj që zgjidhja përmes mekanizmave të zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë do të mund të tejkalojë krizën politike”.

“Besoj se të gjitha institucionet e sigurisë nuk duhet të lejohen të menaxhojnë kriza politike. Krizat politike janë më shumë domen i masave politike institucionale, ndërkaq në rastet e veprave penale normalisht që institucionet e zbatimit të ligjit duhet ta kryejnë punë e tyre. Në bindjen time kjo duhet të ndodhë pas zgjidhjes së krizës politike", u shpreh Ramadani.

Ramadani rekomandon për autoritet e rendit dhe ato të drejtësisë, që të kenë parasysh misionin e tyre, që siç tha ai, është shërbimi ndaj qytetarëve, siguria ndaj tyre dhe ajo nacionale.

“Të qëndrojnë në misionin e tyre kushtetues dhe ligjor dhe në të njëjtën kohë të mos lejojnë analiza dhe veprime të cilat do t’i çonin autoritet e rendit dhe drejtësi në menaxhim të krizave politike”.

“Nuk i takon organeve të rendit dhe drejtësisë të menaxhojnë kriza politike, por u takon të bëjnë sigurinë publike dhe atë nacionale”, tha Ramadani.

Kuvendi i Kosovës ka hyrë tashmë në një prej periudhave më të vështira të funksionimit, ndërkohë që raportet politike ndërmjet qeverisë dhe opozitës janë tensionuar.

Bllokimi i seancave nga opozita, që së fundi u shoqërua edhe me përdorimin e gazit lotsjellës në sallën e seancave, paralajmërohet se nuk janë mjetet e vetme që do të përdoren për të pamundësuar funksionimin e organit më të lartë ligjvënës.

Kjo rezistencë opozitare, arsyetohet me marrëveshjen e 25 gushtit, që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan në Bruksel për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Krahas kësaj marrëveshjeje, opozita po e kundërshton edhe marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, të cilën autoritetet e Kosovës e firmosën nën garancitë ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG