Ndërlidhjet

logo-print

Qytetarët e Kosovës nuk ushqehen në mënyrë të duhur, si pasojë e situatës se rëndë sociale dhe ekonomike, konsiderojnë disa qytetarë dhe përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e konsumatorit.

Sipas tyre, mënyra e të ushqyerit, si dhe orari i ushqimit, janë shumë me rëndësi për organizimin e njeriut.

Rinesa Begolli, punon në një dyqan privat në kryeqytet. Ajo thotë se qytetarëte Kosovës nuk ushqehen në mënyrë kualitative.

“Shumë nga qytetarë për shkak se jetojnë në varfëri nuk kanë mundësi të kenë ushqim të mirë. Por edhe pjesa tjetër që jetojnë në kushte më të mira, ushqehen me ushqim të shpejtë, e në disa raste ndoshta për shkak të orarit të punës", tha Rinesa.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, Ditën Botërore të Ushqimit e shënon më 16 tetor.

Kjo ditë shënohet qysh në vitin 1981 dhe synon të sensibilizojë politikëbërësit mbi rëndësinë e ushqimit dhe rolin e tij në shëndetin e individit.

Sipas shifrave të OKB-së, uria në botë është zvogëluar nga 18.6 për qind në vitin 1992, në 10.9 për qind më 2014.

Edhe përfaqësues të konsumatorëve në Kosovë, pohojnë se ushqyeshmërinë e diktojnë kushtet sociale dhe ekonomike të qytetarëve.

Selatin Kaçaniku, udhëheqës i organizatës joqeveritare “Konsumatori” thekson se po të ngrihet standardi i qytetarëve do të fitonte edhe arka e shtetit, pasi nuk do të ketë shumë nevojë investime në shëndetësi.

“Ka ndikime, ka implikime dhe natyrisht se këto shkojnë bashkë. Por është interesi i shtetit që të kujdeset në këtë aspekt, se jo vetëm qytetarit konsumator të ia ngrit standardin, mirëqenien. Por një gjë të tillë të ia mundësojë edhe arkës se shtetit".

"Sepse niveli, mënyra dhe lloji i ushqimit, ushqimi më të gjitha materiet përbërëse që i nevojitet një organizimi të shëndoshë ndikon në shëndetin e përgjithshme të qytetarit konsumator duke e shkarkuar dukshëm arkën e shtetit. Pasi zvogëlohet financimi për pjesën e buxhetit të dedikuar për shëndetin e përgjithshëm të popullit”, thotë Kaçaniku .

Por, sa është i kontrolluar ushqimi që qytetarët në Kosovë e konsumojnë?

Përgjegjëse shtetërore për kontrollin e ushqimit është Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit (AVUK).

Kryeshefi ekzekutiv në këtë agjenci, Valdet Gjinovci për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se të gjitha produktet ushqimore, qoftë ato të prodhuara në Kosovë apo të importuara, janë të kontrolluara dhe të monitoruara.

"Mbi të gjitha Agjencia e Ushqimit, duke pasur parasysh nivelin e lartë të importit që kemi në Kosovë, në veçanti produkteve të ndryshme ushqimore, qoftë atyre bimore, shtazore i kushton një rëndësi të jashtëzakonshme kontrollit dhe monitorit gjatë procesit të importit", thekson Gjinovci.

Ndryshe, një fenomen shqetësues në rritje në Kosovë, sipas Selatin Kaçanikut është hedhja e ushqimit.

Edhe pse Kosova nuk posedon ndonjë të dhënë në lidhje me hedhjen e ushqimit, perceptimet janëse edhe në Kosovë ushqimi hedhet në masë të madhe, ngjashëm me shumë vende tjera në botë.

Statistikat flasin se nëse vetëm një e katërta e ushqimit që hidhet nëpër botë, do të ruhej dhe menaxhohej, ajo do të ishte e mjaftueshme të ushqente 870 milionë njerëz të uritur në gjithë botën.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG