Ndërlidhjet

Varfëria - dukuri që nuk largohet


Familje në Prishtinë

Familje në Prishtinë

Me gjithë deklarimet e autoriteteve të Kosovës se po bëjnë përpjekje për krijimin e vendeve të reja të punës, rrjedhimisht uljen e nivelit të varfërisë, ish-zyrtarë të Qeverisë, konsiderojnë se kjo luftë e autoriteteve ka dështuar.

Në Ditën Ndërkombëtare për çrrënjosjen e varfërisë, autoritetet kompetente thonë se përpjekjet në këtë drejtim nuk mungojnë, por rezultatet nuk janë të kënaqshme.

Sipas statistikave zyrtare për vitin 2011, varfëria e përgjithshme është afër 30 për qind, kurse varfëria ekstreme është 10 për qind.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në profilin e tij në facebook, ka shkruar se ka shenja se niveli i varfërisë ka rënie, pasi siç është shprehur ai, numri i familjeve me asistencë sociale është zvogëluar për 11 për qind

Por, zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thonë se pavarësisht përpjekjeve për rritjen e numrit të të punësuarve, numri i personave me asistencë sociale nuk është zvogëluar.

Muhamet Gjocaj, drejtor i Departamentit të Mirëqenies Sociale që funksionon në kuadër të kësaj ministrie, tregon se në listën e asistencës sociale figurojnë më shumë se 27 mijë familje, me më shumë se 120 mijë anëtarë, të cilat marrin nga 40 deri 120 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

Ne kemi pritur se gjatë këtij viti do të ketë një numër më të vogël të familjeve me asistencë sociale, për shkak se ka pasur stimulim të punësimit me disa grante të donatorëve, por janë ende të pamjaftueshme këto masa që të zvogëlohet numri i familjeve me asistencë sociale”, thotë Gjocaj.

Ai tregon se janë duke shqyrtuar mundësitë buxhetore që të bëhet rritja e shumës sociale, mirëpo nuk jep hollësi se për çfarë përqindje bëhet fjalë.

Ne jemi duke shikuar mundësitë dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, është jashtë zakonisht i interesuar që të depërtojë në Qeveri që të bëjë një lloj rritje të shumës së ndihmës sociale për të gjitha familjet”.

“Shpresoj se ai ( ministri Abrashi), shumë shpejt, gjatë këtyre ditëve, do të publikojë se për çfarë shume dhe çfarë përqindje bëhet fjalë”, shprehet Gjocaj.

Por, Gjergj Dedaj, ish-zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se niveli i varfërisë në Kosovë, është shqetësues për shoqërinë e Kosovës dhe duhet të jetë edhe për autoritetet kompetente.

“Varfëria është një fenomen që po përcjell Kosovën e pasluftës dhe fatkeqësisht dështimet që kanë ndodhur në procesin e privatizimit dhe pastaj situata e brishtë politike në vend, kanë bërë që investitorët e huaj të mos investojnë në Kosovë. Kjo tregohet edhe me faktin e largimit të të rinjve nga Kosova. Pra, mendoj se Kosova është duke kaluar një periudhë tepër të vështirë”, shprehet Dedaj.

Për të zvogëluar papunësinë dhe varfërinë në Kosovë, ekonomistë të Bankës Botërore në Kosovë, kanë thënë se vendit i duhet rritje ekonomike mbi 8 për qind për një periudhë 10-vjeçare.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG