Ndërlidhjet

Maqedoni: Bisedimet politike mbeten të bllokuara


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi

Partitë në pushtet kanë frikë nga prokurorja speciale e Maqedonisë, Katica Janeva, andaj edhe nëpërmjet formave të ndryshme po tentojnë të minojnë fillimin e punës të ekipit të saj, vlerësojnë ekspertët për çështje juridike duke komentuar zgjedhjen vetëm të 7 nga gjithsej 14 prokurorëve sa duhet të ketë zyra e prokurores.

Formimi i Prokurorisë speciale parashihet me marrëveshjen ndërmjet partive për zgjidhjen e krizës politike, e cila është arritur vetëm pas ndërhyrjes së përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Detyra parësore e prokurores speciale do të jetë hetimi i asaj që njihet si aferë e përgjimeve.

Afera e përgjimeve ka nxitur krizën pas pretendimeve të opozitës se nga bisedat, sipas saj, dëshmohet përfshirja në veprime të rënda kriminale e zyrtarëve më të lartë shtetëror, përfshirë edhe kryeministrin Nikolla Gruevski.

“Ky gjest që ndodhi me moszgjedhjen e prokurorëve, unë mendoj se ka për qëllim që prej tani të pengohet funksionimi i këtij institucioni. Ata me siguri dyshojnë se mund të jenë në shënjestër të organeve të drejtësisë dhe tani tentojnë të bëjnë gjithçka të mundur që të mos ketë asnjë epilog nga gjyqësori, procesi të zvarritet dhe të mos ketë zgjidhje juridike”.

“Se kjo është evidente, flet edhe fakti se tani para Gjykatës Kushtetuese kemi edhe nismë për vlerësimin e kushtetueshmërisë së Ligjit për Prokurorinë Speciale“, thotë Osman Kadriu, ligjërues i së drejtës kushtetuese.

Ai thotë se situata duhet të kapërcehet sa më shpejt që të jetë e mundur nga ana e Këshillit të Prokurorëve me zgjedhjen edhe të anëtarëve të tjerë të ekipit të prokurores speciale.

Në të kundërtën, e gjithë marrëveshja politike do të dështojë dhe kjo do të fuste, sipas tij, vendin në krizë edhe më të thellë.

“Me siguri se kjo do të shfaqet edhe në pikat dhe obligimet tjera të marrëveshjes politike, e që duhet të realizohen sipas afateve të përcaktuara me marrëveshjen politike. Dhe, që pasoja të jetë më e madhe, kjo mund të ndodhë që edhe të mos ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në këtë rast vlerësoj se pasojat do të jenë shumë të mëdha për shtetin dhe qytetarët e tij“, vlerëson Kadriu.

Katica Janeva është propozuar në postin e prokurores speciale, institucion ky i veçantë nga Prokuroria publike republikane, nga partitë politike të cilat kanë miratuar edhe një ligj të veçantë për punën e këtij institucioni.

Por, zgjedhja e ekipit të saj duhet të verifikohet nga Këshilli i Prokurorëve, të cilën edhe nuk zgjodhën tërë ekipin e saj, që nga Janeva dhe partitë opozitare u vlerësua si tentim i pushtetit për të penguar fillimin e saj me punë.

Kjo bëri që opozita të braktisë bisedimet politike deri në zgjedhjen e tërë prokurorëve të propozuar nga Janeva.

“Ne i bëjmë thirrje Këshillit të prokurorëve që t'i zgjedhë të gjithë prokurorët e ekipit të prokurores speciale, Katica Janeva. Me moszgjedhjen e tyre, me ndërhyrjen në pavarësinë e këtij institucioni dhe mosrespektimin e ligjeve, Gruevski dëshmon se frikësohet se nga njerëzit e tillë gjithçka mund të pritet”.

“Frikësohet për përgjegjësinë e tij, frikësohet nga përballja me drejtësinë. Por, ka ardhur fundi, ka ardhur momenti i përballjes së tij me drejtësinë dhe këtu kthim prapa s’ka. Ne nuk duhet të lejojmë kthimin prapa, për shkak të Maqedonisë dhe të qytetarëve të saj“, deklaroi Oliver Spasevski, nënkryetar i LSDM-së.

Partitë në pushtet mohojnë që të kenë gisht në vendimin e Këshillit të prokurorëve duke thënë se ai është organ i pavarur që sjell vendime pa ndikime nga politika.

Në takimin e së premtes që ka përfunduar natën vonë, partitë kanë vendosur t'i drejtohen me një letër ministrit të Drejtësisë, Adnan Jashari, nga i cili kërkojnë t’i bëjë thirrje Këshillit të prokurorëve për të votuar edhe pjesën e mbetur të prokurorëve.

Partitë do t'i bëjnë thirrje edhe Gjykatës Kushtetuese që sa më shpejt të marrë vendim për iniciativën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë të Ligjit për Prokurorinë Speciale.

XS
SM
MD
LG