Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Projektbuxheti për vitin 2016 "përçan" partitë


Ilustrim

Ilustrim

Partitë politike në Maqedoni akoma nuk kanë arritur ujdi për konceptimin e buxhetit të vitit 2016.

Përderisa shtizat mes partive politike maqedonase VMRO-DPMNE dhe Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë thyhen në drejtim të asaj nëse ky buxhet është zhvillimor, partitë politike shqiptare BDI dhe PDSH, gjatë debatit për buxhetin, në Kuvend, kanë fajësuar njëra-tjetrën për mosshpërndarjen mjeteve nga arka e shtetit në formë proporcionale edhe në viset e banuara me shqiptarë.

Ekspertët e ekonomisë thonë se me vite përsëritet avazi i vjetër, përkatësisht zërat që lidhen me Marrëveshjen e Ohrit, gjegjësisht shumë vështirë realizohen projektet në pjesën perëndimore të Maqedonisë.

“Gjithsesi se nevojitet të pësojë ndryshime Ligji për buxhetin, me të cilin ligj, miratimi i buxhetit të bëhet me Badinter, pra votimin e dyfishtë, përkatësisht në ato segmente që kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave të shqiptarëve” , thotë Izet Zeqiri, ekspert i ekonomisë.

Ai konsideron se partitë politike shqiptare, pos debateve të cilat për qëllim kanë vetëm ngritjen e rejtingut partiak, ata deri më tani fare nuk janë interesuar të bëjnë analiza përmbajtjesore, sa i përket shpërndarjes së buxhetit të shtetit, duke lënë gjithçka në duar të VMRO DOMNE-së dhe partive maqedonase në pushtet.

Izet Zeqiri, ligjërues i shkencave ekonomike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se është koha fundit që të bëhet një analizë përmbajtjesore për krijimin e mekanizmave juridikë duke i inkuadruar edhe ekspertët, që nga të mirat materiale të arkës së shtetit, në formë të barabartë të përfitojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

“Mbase zgjidhja më e mirë do të ishte që të formohet një Komitet special, në të cilin komitet do të participonin dhe ministrat shqiptarë, që do të bënin mbikëqyrjen e realizimit të buxhetit. Ndryshe, çka ndodh?”.

“Në më shumë pozicione viteve të fundit, projektet në letër figurojnë në viset shqiptare dhe më pas të njëjtat nuk realizohen për mungesë mjetesh. Ndoshta ky Komitet Fiskal do të punonte në definimin e prioriteteve, të realizimit të projekteve dhe njëkohësisht do të kontrollonte dhe balanconte realizimin e projekteve në viset shqiptare”, vlerëson Zeqiri.

Ndryshe, deputeti i opozitës shqiptare, Ernad Fejzullahu, në foltoren e Kuvendit tha se përmes një ligji të veçantë, duhet të krijohen mekanizma ligjorë për shpërndarjen e drejtë të mjeteve nga buxheti. Në të kundërtën, sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që të pasojnë siç është shprehur “ turbullira”, si reflektim i pakënaqësive nga ana e qytetarëve shqiptarë.

“Nëse edhe më tej vazhdohet me praktikimin e kësaj dukurie të qeverisjes, atëherë kjo do të mund të sjellë turbulenca, jo vetëm këtu, por edhe më gjerë”, u shpreh Fejzullahu.

Ndërkaq, për deputetin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Rexhail Ismaili, është e pamundur ndarja e buxhetit mbi baza etnike, duke mohuar zërat se projektet kapitale mungojnë në viset e banuara me shqiptarë.

“Buxheti deri diku është proporcional dhe i balancuar në aspekt të investimeve kapitale, me projektet që janë të BDI-së. Si rezultat i këtyre projekteve, BDI në vazhdimësi fiton zgjedhjet”, theksoi Ismaili.

Gjatë javës që vjen, deputetët, në kuadër të debatit për buxhetin e vitit 2016, duhet t’i shqyrtojnë mbi 400 amendamente.

XS
SM
MD
LG