Ndërlidhjet

Kerry: Të shmangim shkatërrimin total të Sirisë


John Kerry.
John Kerry.

Shtetet e Bashkuara janë duke punuar për të shmangur “shkatërrimin total” të Sirisë dhe planifikojnë takime me udhëheqësit rusë, sauditë dhe turq për t’i dhënë fund konfliktit, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Uashingtoni konsideron se mban përgjegjësinë “për të provuar dhe shmangur shkatërrimin e plotë dhe total të Sirisë”, nga frika e pasojave potenciale në rajon dhe rritja e migrimit, ka thënë kryediplomati amerikan.

Ai i ka bërë këto komente në Madrid, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Spanjës, Jose Garcia-Margallo.

“Të gjithë, përfshirë rusët, iranianët, kemi thënë se nuk ka zgjidhje ushtarake, andaj duhet të përqëndrohemi kah përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje politike. Kjo është një katastrofë njerëzore që po shpaloset para syve tanë dhe është një katastrofë që kërcënon integritetin e një grupi të tërë vendesh, jo vetëm në perëndim të Evropës, por edhe në lindje. Është e rëndësishme për ne që të përgjigjemi”, ka thënë Kerry.

Mbi 600,000 migrantë, kryesisht nga Siria dhe Afganistani, kanë arritur në Bashkimin Evropian këtë vit, shumica duke udhëtuar nga Turqia në Greqi, duke vazhduar më pas përmes vendeve të Ballkanit drejt Austrisë, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së.

Situata për ta është vështirësuar në fundjavë, pasi Hungaria ka mbyllur kufirin me Kroacinë, duke detyruar migrantët të udhëtojnë përmes Sllovenisë. Në mes të shtatorit, Hungaria ka mbyllur kufirin edhe me Serbinë.

Kroacia ka kërkuar nga Sllovenia të pranojë 5,000 migrantë në ditë, por Sllovenia ka thënë se do të marrë vetëm gjysmën e këtij numri.

Afro 2,000 migrantë kanë kaluar natën në mot të ftohtë në pikën kufitare Trnovec, midis Kroacisë dhe Sllovenisë.

Në përpjekje për të shpjeguar kufizimet, sekretari i Ministrisë së Brendshme sllovene, Bostjan Sefiq, ka thënë se Austria fqinje pranon vetëm 1,500 njerëz në ditë.

Sefiq ka thënë se Sllovenia nuk mund të pranojë numër të pakufizuar të migrantëve nëse e di se ata nuk mund të vazhdojnë tutje udhëtimin e tyre.

Në rrafshin diplomatik, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka pranuar se shkatërrimi i grupit ekstremist të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, do të marrë kohë.

“Fushata kundër Daesh-it do të kërkojë angazhim shumëvjeçar, por, siç e dimë, mundja e terroristëve nuk është ospion, por domosdoshmëri”, ka thënë Kerry në konferencën për gazetarë në Madrid.

Ai po ashtu ka shfaqur shqetësime nga pasojat e sulmeve ajrore të Rusisë në Siri.

"Kam frikë se Rusia është atje thjesht për të mbështetur presidentin sirian, Bashar al-Assad", ka thënë Kerry, duke paralajmëruar se fushata ajrore e Moskës “mund të tërheqë më shumë xhihadistë në luftë”.

Rusia ka nisur sulmet ajrore në Siri më 30 shtator. Ajo thotë se qëllim i saj është të mposhtë terroristët, por Perëndimi dyshon se cak i sulmeve të saj janë edhe rebelët e moderuar sirianë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG