Ndërlidhjet

logo-print

Kategorizimi i pensioneve kontributdhënës, që nënkupton rritjen e pensioneve, do të mund të hyjë në fuqi në janar të vitit 2016, paralajmërojnë përfaqësues të Qeverisë së Kosovë.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka sqaruar se të gjitha këto do të mund të realizohen nëse Qeveria e Kosovës dhe më pas Kuvendi i Kosovës do ta miratojnë një gjë të tillë.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është në përgatitje të propozimeve për kategorizimin e pensioneve kontributdhënëse, pensionet kontributdhënëse janë në katër shkallë, ashtu siç e parasheh edhe ligji. Ministra është në koordinim edhe me asociacionet e pensionistëve që të punojë rreth shumës së këtij kategorizimi”, ka sqaruar Abrashi.

Ai ka treguar se në javën e parë tënëntorit do të dalin me planin konkret sesa do të jetë kategorizimi i pensioneve kontributdhënës. Derisa, ka shtuar që synojnë që ky kategorizim të jetë për shkallën e parë 160 deri 170, derisa për shkallën më të larë deri në 250 euro.

Mjetet për rritjen e pensioneve, ka treguar Abrashi janë të siguruara.

Nëse gjithçka do të shkojë ashtu siç është planifikuar, buxheti i Kosovës për vitin 2016 do të miratohet më kohë, pensionet do të rriten në janar të vitit 2016, ka shtuar Abrashi.

“Vendimi ende nuk është marrë dhe propozimi ende nuk ka shkuar, kjo është ende në diskutim të brendshëm në ministri. Por, ne jemi të bindur se ne do ta kalojmë këtë, pasi që në kornizën e tretë buxhetore, para se të shkojë në Qeveri dhe Kuvend buxheti, ne i kemi mjetet e siguruara”, ka bërë të ditur Abrashi.

Paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pensioneve për pensionistët kontributdhënës, nga përfaqësues të opozitës dhe ekspertë të çështjeve ekonomike po cilësohen si të pabaza dhe jo të qarta.

Ish ministri i ekonomisë dhe Financave nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Shatri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, deklaratën për rritje të pensioneve të ministrit Abrashi e quan promovim të tij personal.

Sipas tij, mënyra për ndryshim të nivelit të pensioneve duhet të merret në qeveri dhe për të marrë një vendim të tillë duhet të sigurohet baza materiale, pra mjetet nga buxheti

“Kjo deklaratë ka qenë si duket jo mjaft e bazuar, por një dëshirë që i ka sjell një promovim personal ministrit Abrashit. Përndryshe procedurat e përgatitjes së buxhetit kanë një rregull. Është një dokument që quhet Korniza afatmesme e shpenzimeve e cila përcakton saktë politikat sociale dhe zhvillimor. Nëse nuk është një politikë e tillë ë përshkruar në këtë dokument është vështirë t’i gjendet ndryshimi në Ligjin për buxhetin”, ka deklaruar Shatri.

Korniza Afatmesme e shpenzimeve për vitin 2016 - 2018 e miratuar në Qeverinë e Kosovës nuk ka paraparë ndonjë rritje të pensioneve të pensionistëve kontributdhënës.

Shatri, ndër të tjera, kujton marrëveshjet që Qeveria e Kosovës ka nënshkruara me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ku sipas tij, në ato marrëveshje është një hapësirë shumë e ngushtë për të bërë ndryshime në politikat sociale.

Pensionet, sipas tij, mund të rriten për aq sa edhe ka rritje ekonomike në vend.

“Për të rritur bazën e pensioneve duhet të rritet shuma e mjeteve për kategorinë subvencione dhe transfere që në këto kushte është e pamundur. Rregullat fiskaleflasin që rritjet për këto kategori mund të ndodhin vetëm në proporcion me rritjen e bruto produktit vendor e që sipas projeksioneve janë tre për qind dhe vetëm për kaq edhe mund të rriten”, sqaron Shatri.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Ismail Kastrati, i quan të paqarta deklarata e zyrtarëve qeveritarë për rritjen e pensioneve.

Megjithatë, sipas tij, është obligim i qeverisë që pensionet të rriten pavarësisht rritjes ekonomike që ka vendi.

“Ne asnjëherë rritjen e pensioneve, pagave e as ndihmave sociale nuk e kemi bërë përmes rritjes ekonomike, përkatësisht rritjen e produktiviteti apo përcjelljen e inflacionit. Këto kritere nuk janë shfrytëzuar asnjëherë, prandaj edhe kanë ndodhur rritje të përnjëhershme me shuma më të mëdha, për të bërë njëfarë balanci të kategorive ekonomike dhe sociale”, ka thënë Kastrati.

Ndryshe, ditë më parë Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rritjen e asistencës sociale.

Shuma e asistencës sociale, sipas këtij vendimi do të rritet për 25 % në Kosovë. Ata persona të cilët deri më tani kanë marrë asistencë nga 76 euro në muaj, nga 1 nëntori i këtij viti do të marrin nga 95 euro, apo 19 euro më shumë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG