Ndërlidhjet

Gjermani: Dhunë ndërmjet protestuesve, kundër dhe për migrantët

  • RFE /RL

Demonstruesit në Dresden

Demonstruesit në Dresden

Të hënën vonë në Dresden të Gjermanisë, kanë shpërthyer përleshje gjatë një tubimi ku shënohej përvjetori i parë i lëvizjes Pediga, pasi kundërshtarët e kësaj lëvizjeje, po ashtu, e kanë mbajtur demonstratën e tyre.

Pediga, që do të thotë Evropianët patriotë kundër islamizimit të perëndimit, tha se në tubimin e saj kanë marrë pjesë ndërmjet 15 mijë e deri në 20 mijë vetë.

Njëherësh afro 19 mijë njerëz janë mbledhur në disa lokacione në qendër të qytetit, për të protestuar kundër lëvizjes Pediga, nën sloganin “zemër në vend të urrejtjes”, kanë thënë organizuesit.

Mbështetësit e lëvizjes Pediga kishin hedhur fishekzjarre kundër policisë.

Ka pasur dhunë të shpërndarë dhe të izoluar gjatë natës, derisa grupe të vogla të pjesëtarëve të Pedigës dhe kundërshtartët e kësaj lëvizjeje, janë përleshur në rrugët e Dresdenit, ka thënë policia.

Policia ka pasur të gatshme topa uji, por nuk i ka përdorur.

Policia tha se një person është dërguar në spital, ndërsa një demonstrues kundër Pedigës është arrestuar.

Tubimi i Pedigës është mbajtur afër ndërtesës së Semper Opera House, që është e njohur në Dresden, ndërsa në mënyrë elektronike janë paraqitur mesazhe, në mesin e të cilëve edhe ai se “ne nuk jemi skenë për jotolerancë”.

Një protestuese kundër lëvizjes Pediga tha se “është e turpshme” që kjo lëvizje ka mbështetje në Dresden.

“Tashmë kam demonstruar disa herë kundër saj, po ashtu edhe në Berlin, dhe më duket e turpshme që Pediga është aq e popullarizuar këtu në Dresden. Më tepër se e turpshme”, tha Mensa Schramm, protestuese kundër Pedigës.

Pediga, që kishte humbur mjaft mbështetës kohëve të fundit për shkak të ndarjeve të brendshme, aktualisht e ka fituar një shtytje derisa më tepër gjermanë po shprehin shqetësime për vendimin e qeverisë për t’i zbutur rregullat e azilit, për ata që ikin nga luftërat dhe persekutimi në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, raporton agjencia DPA.

Policia i ka vendosur më se 1 mijë pjesëtarë të saj për t’i siguruar tubimet në Dresden, duke i ftuar për ndihmë edhe kolegët nga rajonet e tjera të Gjermanisë.

Një zëdhënës i kancelares gjermane, Angela Merkel, tha se ajo beson se protestet e organizuara nga Pediga “kanë urrejtje në zemër të tyre”.

Zonja Merkel u kishte bërë thirrje njerëzve që të mos i bashkohen tubimit të Pedigës, të cilat pothuajse çdo herë mbahen të hënave.

Juergen Kasek, është lider rajonal i Partisë së të Gjelbërve në Gjermani.

“Ne kemi përjetuar një vit në të cilin ndarjet janë thelluar më tepër në shoqërinë gjermane, një vit në të cilin situata është bërë më radikale dhe ku secili që shpreh qëndrim të kundërt, përfaqësuesit e mediave për shembull, ata nuk janë të sigurt në rrugë ditën e hënë (kur Pediga zakonisht i mbanë tubimet)".

"Rrjedhimisht besoj se është tejet e rëndësishme dhe e domosdoshme të dërgohet mesazh i qartë se duhet të ketë kundërshtim ndaj qasjeve që janë armiqësore kundër qenieve njerëzore”, tha Juergen Kasek.

Në tubimin e javës së kaluar të Pedigës, një protestues e mbante një trekëmbësh për varje me mbishkrimin “e rezervuar” për kancelaren Merkel, derisa një lider i kësaj lëvizjeje e ka përshkruar kancelaren si “femrën më të rrezikshme në Evropë”.

Ministri i brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, e ka dënuar lëvizjen Pediga , ndërsa pjesëtarët e saj i ka përshkruar si “ekstremistë të rëndë të krahut të djathtë”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG