Ndërlidhjet

Përpjekje e re për t'iu kundërvënë ekstremizmit


Konferenca e QKSS-së
Konferenca e QKSS-së

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka prezantuar të martën në një konferencë shtypi, të gjeturat e projektit me titull “Rrëfimi i dy qyteteve - ekstremizmi i dhunshëm dhe kundërpërgjigja në Komunën e Mitrovicës dhe Vushtrrisë”.

Projekti është mbështetur nga Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Florian Qehaja, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ka theksuar se projekti përmbledh gjetjet në dy komuna të Kosovës, në Mitrovicë dhe Vushtrri, si dhe ka pasur për qëllim bashkëbisedimin me qytetarë, për të identifikuar problemet e komunitetit dhe për të marrë mendimin e qytetarëve për ekstremizmin e dhunshëm.

“Më konkretisht, nëpërmjet këtij projekti jemi duke krijuar kundër-narrativat, sepse mendojmë se duke krijuar mesazhe të sinkronizuara, kësisoj do t’i kontribuojmë procesit. Ne mendojmë që këtë proces të kundër-narrativave do ta ndajmë në kuadër të një grupi të gjerë, i cili është pjesë e strategjisë apo grupit punues, që ka hartuar Strategjinë kundër ekstremizmit të dhunshëm, i cili shpie në terrorizëm”.

Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Skënder Hyseni, e ka vlerësuar projektin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë si ndihmesë në dërgimin e kundër-porosive karshi porosive që dërgon radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.

“E kemi obligim si shoqëri që të angazhohemi në mënyrë të gjithanshme që të dërgojmë një porosi kundër radikalizmit, gjithandej ku jemi të pranishëm, imami në xhami, mësuesi në shkollë, politikani në një forum si ky dhe të gjithë segmentet e shoqërisë aty ku arrijnë”.

Ministri Hyseni ka shtuar se e konsideron hipokrizi të skajshme politike, njerëzore dhe sociale nëse ftesa për harmoni ndërfetare dhe ndëretnike, bëhet vetëm gjatë festave.

Samuel Zhbogar, shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka theksuar se projekti i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë është inovativ dhe ka bërë gjetje interesante.

Sipas tij, radikalizmi dhe ekstremizmi, që qojnë drejt bashkimit në ushtri të huaja, kanë narrativa shumë joshëse, të bazuara në fe, si dhe me premtime për një jetë më të mirë.

“Duhet të tregohet se sa të cekëta dhe të pabaza janë këto premtime, Mirëpo, në anën tjetër, kundër-narrativi duhet të tregojë se si këto premtime janë të rrejshme, duke dhënë alternativa dhe mundësi reale, arsim dhe profesion, mendim kritik dhe qytetari aktive. Pikëpamjet sociale duhet të jenë të hapura dhe të drejtpërdrejta. Këto janë ato elemente, që BE-ja do të donte t’i ndihmonte Kosovës që t’i ndërtoj dhe konsolidojë”, tha Zhbogar.

Galdim Ajeti, hulumtues i Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, i cili duke prezantuar gjetjet e hulumtimit, ka theksuar se gjatë këtij hulumtimi janë vërejtur dallimet e mëdha ndërmjet komunitetit sekular, komunitetit islam, si dhe përfaqësuesve të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Dy të fundit, sipas tij, kanë shfaqur tendenca për ta relativizuar dhe minimizuar problemin. Sipas tij, është parë nevoja e ngritjes së bashkëpunimit dhe shkëmbimit të ideve ndërmjet komunitetit islam, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe institucioneve shtetërore, në mënyrë që të parandalohet apo luftohet ekstremizmi i dhunshëm.

“Po ashtu, nga këto takime që i kemi zhvilluar në dy komunat, Mitrovicë dhe Vushtrri, është parë një lëvizje proaktive nga imamët, për dërgimin e mesazhit dhe ngritjen e vetëdijesimit për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Po ashtu, është parë se roli i prijësve fetarë, sado të jetë i vonshëm ai, ka një rëndësi të veçantë në përpjekjet tona për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm”.

Xhabir Hamiti, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame, ka kritikuar përfaqësuesit e besimit islam, se nuk e kanë kryer detyrën si duhet në parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Një rol më të madh në parandalimin e rrymave me ideologji të ngurtë dhe devijante afetare, kryesuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, do të mund ta bënin po të ishin vigjilent dhe të vetëdijshëm, në kohë. Gabimi i bërë, në këtë drejtim, duhet të jetë reflektim për të qenë në përgjegjësi më të lartë tani e tutje”.

Drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Qehaja, ka theksuar se gjetjet e hulumtimit të qendrës që ai drejton, do të reflektojnë në raportet që do t’i publikojë kjo qendër në të ardhmen.

Ndërkaq, sipas tij, produkti final i këtij hulumtimi do të jetë, siç e ka quajtur ai, produkti i quajtur kundër-narrativa, i cili, në njërën anë, i identifikon mesazhet, të cilat janë të konstruktuara nga ana e rekrutuesve dhe ekstremistëve, si dhe në anën tjetër, kundër-mesazhet që duhet të dërgohen nga të gjithë aktorët, me qëllim të dobësimit të efektit të mesazheve të rekrutuesve dhe ekstremistëve.

XS
SM
MD
LG