Ndërlidhjet

Shkallë alarmante e dhunës ndaj fëmijëve


Ilustrim
Ilustrim

Dhuna fizike ndaj fëmijëve nga familjarët e tyre, vazhdon të jetë prezente në Kosovë.

Mbi 60 për qind e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç në Kosovë, kanë deklaruar se kanë pësuar dhunë psikologjike dhe fizike nga familjarët.

Kështu thuhet në raportin e Fondacionit për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara - UNICEF.

Java për mbrojtjen e fëmijëve nga çfarëdo lloj dhune, po zhvillohet me aktivitete të shumta, me qëllim të vetëdijësimit të raportimit të dhunës.

Besim Kelmendi nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se në bazë të ligjeve që janë në fuqi në Kosovë, sidomos në bazë të Kodit të Procedurës Penale, të gjitha viktimat kanë të drejtë t’i realizojnë të drejtat e tyre që nga identifikimi, deri te përfundimi i procedurës penale.

"Këto të drejta janë të shumta dhe unë konsideroj se viktimat duhet të jenë të njoftuar më shumë për këtë mundësi që e kanë në bazë të ligjeve, duke filluar nga e drejta për t'u informuar, për cdo veprim që ndërmerr policia, prokurori apo gjyqtari, e deri te e drejta për të vepruar gjatë procedurës penale".

"Viktima ka të drejtë që të jep propozime, ka të drejtë që të bëj kërkesa të ndryshme për kërkim të provave të ndryshme, si dhe ka të drejtë të kërkojë ndonjë veprim për vazhdimin e paraburgimit të ndonjë personi që ka kryer vepër penale ndaj tyre. Dhe në fund, një të drejtë elementare është kompensimi i dëmit dhe e drejta e trajtimit me kujdes të veçantë tek rastet e fëmijëve", tha Kelmendi.

Por, sa raportohet dhuna në institutcione relevante, kemi marrë informata nga autoritetet e rendit.

Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës, thotë se gjatë vitit 2014 janë raportuar gjithsej 148 raste të fëmijëve viktima që lidhen me dhunën e ushtruar mbi ta në forma të ndryshme.

"Pavarësisht se kush e informon policinë për këto raste, policia reagon në mënyrë urgjente për ta mbrojtur fëmijën, për t’i mbledhur dëshmitë në mënyrë që rasti të faktohet dhe të procedohet në Prokurorinë kompetente".

"Kur kemi të bëjmë me rastet e fëmijëve të keqtrajtuar fillimisht detyrë primare e policisë është që të mbrohet fëmija dhe t'i ofrohen shërbimet tjera më akterët tjerë relevant, si ndihma mjekësore, njoftohet prokurori kompetent, Qendra për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave", tha Hoxha.

Në anën tjetër, Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF, ka thënë se në Kosovë ka shumë adresa ku mund të raportohet dhuna.

"Janë disa adresa ku mund të raportohet dhuna, si në polici, Qendra për Punë Sociale, që janë organe komunale ku secila komunë ka qendrën për punë sociale, si dhe mbrojtësit e viktimave që janë në shërbim 24 orë për mbrojtjen e viktimave të çfarëdo lloji".

"Kjo javë është java për mbrojtjen e të drejtave të viktimave dhe po shënohet me aktivitete të ndryshme vetëdijësuese me qëllim të sensibilizimit të fëmijëve dhe të rinjve, si dhe publikut të gjerë për mbrojtjen e të drejtave të viktimave", tha Kelmendi.

Psikologu Fitim Uka, vlerëson se rastet e dhunës janë të shpeshta.

"E konsideroj që janë të shpeshta rastet dhe mund të konkludojmë që nivelet e dhunës ndaj fëmijëve nga prindërit janë në ulje, por duke i marrë parasysh nivelet globale të dhunës, tek ne është shkallë alarmante e dhunës ndaj fëmijëve".

"Kjo si pasojë e mosedukimit të mirëfilltë të prindërve tanë .Prindërit që kanë nivel të ulët të shkollimit, mendojnë se dhuna është mjet i edukimit për fëmijët e tyre, ani pse një lloj çasje tillë me asnjë teori psikologjike nuk është e pranueshme, dhe si e tillë mund të shkaktojë vetëm dëme tek fëmijët dhe asesi rezultat", tha Uka.

Sidoqoftë, dhuna fizike ndaj fëmijëve, është e dëmshme për zhvillimin e personalitetit të tyre dhe efektet e dhunës që prindërit ushtrojnë ndaj fëmijëve të tyre, mund të jenë afatgjate, shprehet Uka.

Hulumtimet e ndryshme dëshmojnë se fëmijët që rriten në ambiente të dhunshme familjare, kanë tendencë që të modelojnë sjellje të tilla agresive në raport me moshatarët e tyre.

XS
SM
MD
LG