Ndërlidhjet

logo-print

Seanca e së premtes shihet si provokim


Foto nga seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës, ku opozita hodhi gaz lotsjellës.

Foto nga seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës, ku opozita hodhi gaz lotsjellës.

Thirrja e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës për ditën e premte në kohën e tensioneve të shtuara politike, paraqet provokim për gjendjen e sigurisë në Kosovë, kanë vlerësuar deputetë dhe analistë politikë në Prishtinë.

Bëhet fjalë për deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani dhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, si dy deputetë që nuk pajtohen me pozicionet e ngurta të qeverisë dhe opozitës rreth opsioneve për tejkalimin e krizës politike.

Komentet e tyre ata i kanë bërë gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, si monitorues i punës së Kuvendit.

Deputetja Vjosa Osmani ka thënë se vendi është në krizë dhe se Kuvendi është dashur që t'i jap një shans nismës së presidentes që të gjendet një zgjidhje politike.

"Caktimin e seancës për të premten në ora 16:00 e konsideroj si një eksperiment. Në radhë të parë eksperiment me jetën e deputetëve, pasi që ata po konsiderohen si minj me të cilët eksperimentohet se sa mund të thithin gaz lotsjellës, sa mund të durojnë provokime pa u grushtuar me njëri tjetrin, sa mund të durojnë mjete tjera që mund të dalin tash në shesh në seancën e radhës dhe potencialisht po e krijon hapësirën për një vikend shumë të dhunshëm në mes të qytetarëve", është shprehur Osmani.

Ndërkohë, deputeti Ilir Deda, i cili ka propozuar si zgjidhje për tejkalimin e krizës edhe mbajtjen e referendumit për Asociacionin e Komunave Serbe, ka thënë se tash për tash, do të ishte me rëndësi që të vendoset një dialog politik mes qeverisë dhe opozitës, në mënyrë që vendi të shpëtojë nga trazirat e mundshme.

Ngjashëm me deputeten Osmani, edhe Deda e ka cilësuar të panevojshme thirrjen e seancës për të premten.

"Unë kam frikë nga dita e premte se çka mund të ndodhë atë ditë në orën 16:00. Unë nuk e di se çka mund të ndodhë, por me siguri duke e parë se çka ka ndodhur javët e kaluara në Kuvend, nuk do të jetë një ditë normale. Dhe, kush do të merr përgjegjësi për shkaktim të abnormalitetit politik dhe rritjes së potencialit për dhunë brenda shqiptare... askush nuk dëshiron ta marrë përgjegjësinë", ka theksuar Deda.

Tash për tash, referendumi konsiderohet si opsion i pamundshëm pasi që Kosova nuk ka ligj përkatës.

Marrë parasysh gjendjen e krijuar, analisti politik, Dukagjin Gorani ka thënë se rrugëdalje nga kjo situatë do të mund të ishin edhe zgjedhjet e lira.

Të gjithë skenarët tjerë që çojnë në ballafaqimin e pushtetit dhe opozitës janë shumë të rrezikshme, ka theksuar Gorani.

"Duhet të shkohet në zgjedhje pasi që ato janë forma e vetme e rivendosjes së legjitimitetit. Nuk kanë nevojë zgjedhjet të mbahen për një muaj e as për 45 ditë, por mund të mbahen në pranverën apo verën e ardhshme. Por, është mirë që sot të diskutohet nëse kjo skenë politike ka nevojë të ri-legjitimohet për shkak të goditjeve të mëdha dhe për shkak të krizës së madhe në të cilën u fut kjo shoqëri", ka thënë Gorani.

Në anën tjetër, publicisti Halil Matoshi ka kritikuar si qeverinë ashtu edhe opozitën, por në masë më të madhe fajtor për gjendjen e krijuar e ka bërë opozitën, pasi që kërkesat e tyre i ka cilësuar si të papranueshme dhe anarkike.

Matoshi ka thënë se opozita duhet ta kuptojë që Kosova nuk është shtet një-etnik, pasi që kompromisi me bashkësinë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës ishte pranimi i shumë etnicitetit. Kurse idenë e referendumit e ka cilësuar si opsion jo të mirë.

"Kriza mund të eskalojë. Por, mos harroni që Kosova si projekt ndërkombëtar është e mbrojtur prej NATO-s. Këtu janë forcat e KFOR-it dhe unë nuk besoj që këtu lënë banda e banditë që t'u vërsulen institucioneve të shtetit. Po ashtu, jam kundër referendumit si formë e demokracisë së drejtpërdrejtë sepse ende nuk kemi mendim politik unik".

"Mendoj se nëse vendosim demokraci të drejtpërdrejtë nesër dikush ka me dal me kërkesën në Kuvend që të ndërrohet sistemi dhe në vend të Kushtetutës të vendoset Sheriati, sepse pretendojnë që janë shumicë muslimane e tjera", ka deklaruar Matoshi.

Pushteti dhe opozita kanë acaruar raportet mes tyre pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Për të dy këto marrëveshje, opozita kërkon që të anulohen si kusht për zhbllokimin e Kuvendit.

Madje, në dy seancat e fundit opozita përdori edhe gazin lotsjellës për të penguar punimet e Kuvendit.

Andaj, panelistët sugjeruan që Kuvendi të mos mbajë seancë të premten, për t'i dhënë një rast shtesë ndonjë zgjidhjeje politike, ngase sipas tyre, ka potencial serioz për dhunë dhe eskalim të situatës ku mund të përfshihen edhe masat qytetare dhe organet e rendit.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG