Ndërlidhjet

Shfuqizohet vendimi për shkarkimin e rektorit të UP-së

  • RFE /RL

Prishtinë

Prishtinë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami, në mbështetje të dispozitave ligjore, ka shfuqizuar vendimin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, për të shkarkuar rektorin e këtij Universiteti, Ramadan Zejnullahu.

Protestë para Ministrisë së Arsimit, në mbrojtje të rektorit Zejnullahu

Protestë para Ministrisë së Arsimit, në mbrojtje të rektorit Zejnullahu

Në një njoftim për media, ministria e Arsimit, mes tjerash, obligon organet e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për zbatimin e këtij vendimi.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka shkarkuar të mërkurën Zejnullahun, me kërkesë të njëzetetetë anëtarëve të Senatit të Universitetit.

Në kërkesën për shkarkim janë përmendur disa arsye, si: shkeljet ligjore, bllokimi i mbledhjeve të Senatit, ndërprerja e konkurseve për studime të doktoratës e të tjera.

Shoqëria civile në Prishtinë ka mbajtur protestën e paralajmëruar edhe pas shfuqizimit të vendimit për shkarkim të rektorit.

Rron Gjinovci, organizator i kësaj proteste, iu ka drejtuar protestuesve duke iu dhënë lajmin për shfuqizimin e vendimit për shkarkimin e rektorit.

“Më lejoni t'ju uroj që vendimi për shkarkimin e rektorit tashmë është anuluar. Sot po e vendosim një standard të ri, standardin e cilësisë në Universitetin e Prishtinës. Autonomia e UP-së është qenësore që të funksionojë i pavarur dhe të kryejë misionin e tij”, është shprehur Gjinovci.

Aktivistët e shoqërisë civile, gjatë protestës kanë dalë edhe më disa kërkesa.

Ata kanë kërkuar shkarkimin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës dhe në vend të këtij këshilli kanë sugjeruar të bëhet një organ i cili përbëhet nga ekspertë të arsimit.

Disa nga kërkesat tjera ka qenë edhe shkarkimi dekanëve, ndryshimi i Ligjit për arsimin e lartë, si dhe në pranverë të vitit 2016, kanë kërkuar që në Universitetin e Prishtinës të ketë zgjedhje të lira pa ndikime partiake.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, pas shkarkimit nga pozita, kishte lëshuar një reagim për media, duke thënë se vendimi i Këshillit Drejtues ka të bëjë me “idenë e mashtrimit dhe shantazhit që e përkrahin disa njerëz të fuqishëm”.

“Unë ende besoj në fuqinë e UP-së dhe të shoqërisë sonë për t'u transformuar, duke respektuar vlerat e duke ndërtuar institucione që punojnë për të mirën e përgjithshme e jo për klane njerëzish të fuqishëm. Unë do të vazhdojë ta jap kontributin tim për të mirën e UP-së në cilëndo pozitë që jam. Forca e dijes dhe arsyes do të triumfojë herët apo vonë. Rrugës do të humbim shumë beteja, por nuk duhet të ndalemi", ka thënë Zejnullahu.

Shkarkimi i rektorit ka shkaktuar një valë reagimesh të zyrtarëve në Prishtinë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka shkarkuar nga detyra anëtaren e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Shefkije Islamaj.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vendimin për shkarkimin e rektorit e kishte konsideruar të padrejtë dhe të dëmshëm për Universitetin e Prishtinës.

Kjo nismë e kryeministrit është mbështetur edhe nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka thënë se shkarkimi e rektorit Ramadan Zejnullahu është shqetësues dhe “kundër angazhimit për reformimin e arsimit të lartë”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG