Ndërlidhjet

Zyra e BE-së në Kosovë mbështet përpjekjet e rektorit


Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Samuel Zhbogar, kanë shprehur shqetësim me zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës, të cilat, siç thuhet, nuk kontribuojnë në përmirësimin e standardeve të arsimit në Kosovë, që janë "më të ulëtat në rajon".

Të mërkurën, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka shkarkuar rektorin Ramadan Zejnullahu, me kërkesë të anëtarëve të Senatit të Universitetit.

Sot, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami, e ka shfuqizuar këtë vendim.

"Ne shprehim mbështetjen e plotë ndaj përpjekjeve të rektorit të Universitetit të Prishtinës për mbrojtjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe për të aplikuar parimet e qeverisjes së mirë duke vendosur kritere të qarta akademike, në mënyrë që studentët të fitojnë njohuritë dhe shkathtësitë që u nevojiten për të qenë konkurrues në tregun e punës dhe për të gjetur punë të shkathtësive të larta", thuhet në një deklaratë të Zyrës së BE-së në Kosovës dhe të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së.

Po sipas saj, arsimi cilësor është qenësor për të thyer ciklin e papunësisë dhe varfërisë dhe një adut kryesor i inovacionit, zhvillimit social dhe ekonomik, "për të cilin dëshpërimisht ka nevojë Kosova".

XS
SM
MD
LG