Ndërlidhjet

logo-print

Përse u takuan Assad dhe Putin?


Bashar al-Assad gjatë takimit me presidentin rus, Vladimir Putin.

Bashar al-Assad gjatë takimit me presidentin rus, Vladimir Putin.

Tri javë pasi Rusia ka nisur sulmet ajrore në Siri, presidenti sirian, Bashar al-Assad, ka takuar presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë një vizite të papritur në Moskë.

Rusia është duke bombarduar forcat rebele që kundërshtojnë Assadin qysh më 30 shtator, duke bërë të mundur që regjimi të forcojë pozicionin e tij në fushën e betejës, pas disa muajsh në të qenët vetëm në mbrojtje.

Por, mbështetja ushtarake për Assadin është vetëm një pjesë e strategjisë ruse në Siri. Pjesa tjetër është hapja e negociatave ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës civile atje.

Vizita e Assadit në Kremlin mund të sinjalizojë fillimin formal të përpjekjeve diplomatike të Moskës.

Me shkuarjen në Moskë – për herë të parë jashtë vendit prejse ka nisur lufta në Siri në vitin 2011 – Assad ka treguar se mbetet kryetar plotësisht funksional i shtetit.

Vizita demonstron se Assadi “është pak a shumë i bindur në stabilitetin e situatës, në faktin se vendi i tij mund të mbijetojë pa praninë e tij fizike në kryeqytet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nikolai Kozhanov, analist në Qendrën Carnegie në Moskë.

Ai shton se vizita po ashtu tregon se sulmet ajrore të Moskës kanë arritur së paku një qëllim: forcimin e regjimit në pushtet.

Putin dhe Assad ka të ngjarë të kenë folur sinqerisht për rolin e ardhshëm të presidentit sirian.

Shumë analistë besojnë se edhe Putin, edhe Assad pajtohen se presidenti sirian, në fund, duhet të japë dorëheqje për t’i hapur rrugën një qeverie të re.

“Është e qartë tani se udhëheqja ruse nuk është e interesuar në një operacion afatgjatë (ushtarak), por në sjelljen e atij operacioni në fazën e fundit. Kjo fazë e fundit nuk ka të bëjë me fitoren ushtarake të aleancës ruse-siriane, por me fillimin e një procesi të negociatave midis autoriteteve siriane dhe opozitës, që mund të pasojë me krijimin e një qeverie të përkohshme, e cila do të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit me mjete diplomatike”, thotë analisti Kozhanov.

Por, nëse Assadi është i gatshëm të japë dorëheqje së shpejti, mbetet një pyetje e hapur.

Disa zyrtarë perëndimorë kanë sinjalizuar së fundi se mund të zbusin kërkesën e tyre për largimin e menjëhershëm të Assadit.

Sekretari i jashtëm britanik, Philip Hammond, ka thënë se Assadi mund të qëndrojë për disa muaj nëse ky është “çmimi” për fundin e konfliktit në Siri.

Analistët thonë se afati i ri mund të jetë i pranueshëm edhe për Putinin, edhe për Assadin, sepse ata ndjehen mjaft të fuqishëm për të siguruar se secila qeveri e ardhshme do të mbrojë interesat e tyre.

Ekziston po ashtu mundësia që Assadi të largohet nga Siria dhe të strehohet në Rusi.

“Ideja që Assadi të largohet nga Siria me gruan dhe familjen e ngushtë ka qarkulluar në Moskë prejse ka nisur kryengritja kundër presidentit sirian”, thotë Ted Karasik, ekspert i Lindjes së Mesme, me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Aleat tjetër i madh i Sirisë është Irani, i cili ka thënë se me dëshirë do t’iu bashkohej bisedimeve për paqe në Siri.

Por, analisti Karasik thotë se Irani, tani për tani, do të jetë i kënaqur për t’i lënë Rusisë rolin udhëheqës, edhe pse të dyja vendet kanë interesa konkurrues në Lindjen e Mesme.

“Mendoj se është në rregull të shihet kah Moska si qendër për çdo diskutim me Iranin për atë që po ndodh në Siri sot. Në këtë moment është e qartë se Rusia është duke punuar për së afërmi me Iranin në zgjidhjet ushtarake kundër ekstremistëve në Siri”, thotë Karasik.

Por, ai paralajmëron se do të vijë dita kur rusët dhe iranianët mund të mos pajtohen me atë që ndodh në terren dhe se kjo do të jetë një pikë e ardhshme tensioni.

Megjithatë, aleanca Rusi-Iran-Siri tani për tani duket se është e bashkuar, derisa vazhdon sulmet kundër rebelëve që në mënyra të ndryshme mbështeten nga Perëndimi, Turqia dhe shtetet arabe.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG