Ndërlidhjet

logo-print

Politika si “bashkëpronare fantome“ në biznes


Ilustrim

Ilustrim

Disa biznese të fuqishme në Kosovë, veprimtarinë e tyre e zhvillojnë me ndihmën e zyrtarëve të institucioneve shtetërore.

Kështu thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, duke shtuar se pas kompanive në sektorë të ndryshëm, qëndrojnë apo janë “bashkëpronar“, jo zyrtarisht, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale.

Ata shprehin shqetësimin se më shumë se një dekadë, në Kosovë sektori i ndërtimit ka marrë hov, biznese tregtare me kapital të lartë, por asnjëherë nuk kërkohet burimi i parasë.

Në anën tjetër, raporte të ndryshme të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, vlerësojnë se Kosova ka një zhvillim të ulët ekonomik dhe ambient jo të përshtatshëm për biznes.

Por, për çudi në Kosovë, sipas tyre, nga një biznes me kapital të vogël, për një periudhë të shkurtër kohore është shndërruar në kompani të fuqishme.

Lorik Bajrami, nga Organizata për Demokraci dhe Anti-Korrupsion “Çohu“, thotë se duke marrë parasysh se kompanitë private në disa raste varen nga buxheti i Kosovës, zyrtarët qeveritarë e kanë keqpërdorë detyrën zyrtare në favor të përfitimeve materiale.

“Edhe ne e kemi parë në shumë raste të ndryshme, përmes shumë provave të ndryshme që këtë mundësi qeveritarët e kanë përdorur. Do të thotë, kanë përdorur korruptimin ose abuzimin me funksionin publik ose me të mirat publike,në mënyrë që përfitojnë të mira materiale në aspektin privat”.

“Qeveritarët e Kosovës kanë një mundësi shumë të madhe, kushtimisht të them shantazhit, kufizimit ose kushtëzimit të kompanive të ndryshme private”, ka thënë Bajrami për Radion Evropa e Lirë.

Ekspertë për çështje ekonomike, ndërkaq theksojnë se edhe pse mungojnë të dhëna zyrtare se a ekzistojnë raste të tilla, megjithatë sipas tyre në Kosovë ka raste kur bizneset përkrahen nga pushteti apo parti të ndryshme politike.

Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se disa biznese marrin projekte nga institucionet publike dhe kjo ndikon në rritjen e kapitalit të tyre.

“Në çdo vend të botës ka biznese të tilla. Por, shpresojmë që mos të jenë biznese që pastrojnë para, i ikin taksave dhe krijojnë evazion fiskal, sepse Kosova është vend i vogël, dhe këto biznese sado të vogla që te jenë, mund t’u shihet filli i lidhjes eventuale që kanë me politikën”.

“Dihet këtu se shumica e bizneseve marrin punë nga politika, nga institucionet publike dhe kur dihet se ka korrupsion të lartë në procesin e dhënieve të tenderëve dhe formave të ndryshme, atëherë pa dyshim se ndodhin edhe gjëra të tilla”, tha Ramosaj.

Por, Lorik Bajrami nga organizata “Çohu”, thotë se kompani të mëdha në Kosovë konsiderohen operatorët e derivateve të naftës, kompanitë tregtare që merren me import, dhe kompanitë ndërtimore.

Se kompani të ndryshme mund të qëndrojnë në treg vetëm më mbështetjen e institucioneve publike, Bajrami tregon se ka raste kur disa biznese kapitalin e tyre e kanë rritur në kohën kur në Kosovë ka pasur investime në rindërtimin e vendit, si në infrastrukturë dhe objekte të shkollave.

Por, më përfundimin e këtyre investimeve dhe mosmarrjen e tenderëve publik, këto kompani nuk janë të pranishme në tregun e Kosovës.

“Mirëpo sot ndërtimi i rrugëve dhe objekteve shkollore është në rënie e sipër , për shkak të ndërtimit të autostradës. Do të thotë që nga fillimi i ndërtimit të autostradës, ato kompani janë në rënie e sipër”.

“Nuk kanë sot një relevancë shumë të madhe. Disa prej tyre kanë mbetur pak, por pjesa dërrmuese të cilat janë krijuar në kohën e investimeve të mëdha publike, më nuk janë në treg, kanë dalë nga tregu”, thotë Bajrami për Radion Evropa e Lirë.

Lidhja e politikës me biznese, sipas tyre dëshmohet me faktin se "disa biznesmenë që udhëheqin me kompani të mëdha, tashmë janë bërë pjesë e politikës, ndonëse ka edhe politikanë, të cilët janë bërë biznesmenë”.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG