Ndërlidhjet

Kosova pa laborator për analiza të HIV/AIDS


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë gjatë këtij viti janë lajmëruar katër persona të rinj, me sëmundjen e HIV-AIDS-it për trajtim në Klinikën Infektive, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, Kosova numëron rreth 100 persona të prekur nga kjo sëmundje, që nga viti 1986, kur edhe është identifikuar rasti i parë.

Infektologu Murat Mehmeti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjithsej janë 23 persona në terapi dhe nën kujdesin e kësaj klinike.

“Katër raste të reja janë lajmëruar në Klinikën Infektive për trajtim. Në Klinikën Infektive gjithsej trajtohen 23 persona, prej tyre 19 janë duke marrë terapi derisa 4 janë pa terapi për shkak se nuk i plotësojnë kriteret për të filluar terapinë. Me terapi qëndrojmë mirë, por jo edhe me terapi të fëmijëve. Ajo mungon tash për tash”, tha Mehmeti.

Ndryshe, në Kosovë mungon laboratori i analizave për personat me HIV AIDS.

Alban Gjonbalaj, udhëheqës i Asociacionit Kosovar i Personave që jetojnë me HIV në Kosovë, ka bërë të ditur se analizat për verifikimin e personave me HIV/AIDS, nëse ata duhet të hyjnë në terapi ose jo, dërgohen në Paris të Francës.

“Në Kosovë nuk ka laborator për analiza për personat me HIV/AIDS. Për shkak të buxhetit të limituar nuk mund të blihet, ndonëse kemi bërë kërkesë si organizatë. Por, nuk varet prej neve kjo punë”.

“Pacientët me HIV vendosin të hyjnë në terapi pas analizave që i marrim nga Franca, derisa në botë respektohet një tjetër protokoll. Pacientët hyjnë në terapi menjëherë pas identifikimit të tyre si të infektuar me HIV?AIDS”, tha Gjonbalaj.

Sido që të jetë edhe fëmijët e prekur me HIV në Kosovë, në mungesë të marrjes së trajtimit të nevojshëm, këto shërbime i kryejnë jashtë vendit.

Izet Sadiku, zëvendësministër në Ministrinë e Shëndetësisë,thotë se terapia për të rritur është siguruar mjaftueshëm.

“Ministria e Shëndetësisë e përkrah blerjen e terapisë antiretrovirale, dhe këtë terapi e kemi siguruar edhe për vitin e ardhshëm. Gjithashtu edhe në Qendrënpër Testim Vullnetar kemi siguruar testet e shpejta. Një pjesë të programeve që i përkasin grupeve të rrezikut,janë në përkrahje qe disa vite e që Ministria i merr në formë donacioni”, theksoi Sadiku.

Sipas profesionistëve shëndetësorë, Kosova konsiderohet si vend me prevalencë të ulët sa i përket HIV/AIDS-it, por faktorët e rrezikut - trafikimi me qenie njerëzore, përdorimi i drogave intravenoze dhe sjelljet e rrezikshme - janë të pranishme.

XS
SM
MD
LG