Ndërlidhjet

logo-print

Podgoricë: Policia ka hedhur gaz lotsjellës kundër protestuesve


Pamje e përleshjeve të policisë me demonstruesit në Podgoricë mbrëmë vonë

Pamje e përleshjeve të policisë me demonstruesit në Podgoricë mbrëmë vonë

Policia në Podgoricë të Malit të Zi mbrëmë ka hedhur gaz lotsjellës për të dytën javë me radhë, për t’i shpërndarë afro 5,000 protestues, që kanë marshuar kah ndërtesa e parlamentit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Millo Gjukanoviq, dhe zgjedhje të parakohshme.

Tubimi ishte paqësor, por u shndërrua në të dhunshëm, pasi demonstruesit u përpoqën ta shpërthejnë kordonin e policisë para ndërtesës së parlamentit, duke hedhur gurë, fishekzjarre dhe pajisje zjarrvënëse, raporton agjencia Reuters nga Podgorica.

Ministri i brendshëm i Malit të Zi, Rasko Konjeviq, i njoftoi gazetarët se 15 policë janë plagosur, një prej tyre seriozisht, dhe se 24 civilë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Lideri i Frontit Demokratik opozitar, që e ka organizuar demonstratën, Andrija Mandiq, dhe aleati i tij, Sllaven Radunoviq, ishin marrë në polici për pyetje lidhur me rolin e tyre në incidente, ka njoftuar policia e Malit të Zi.

Para se të filloj protesta, një grup i mbështetësve opozitarë ka hedhur gurë kundër Ambasadës së Shqipërisë në Podgoricë, duke e dëmtuar pjesën e jashtme të ambasadës.

Qeveria e Malit të Zi e “ka dënuar këtë incident me hedhje të gurëve kundër Ambasadës së vendit mik fqi, Shqipërisë”.

XS
SM
MD
LG