Ndërlidhjet

logo-print

Deri në shtator të këtij viti, shpenzimet buxhetore të Qeverisë së Kosovës kanë arritur në 1,026 miliardë euro, derisa të hyrat në buxhet kanë qenë 1.065 miliardë euro, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Financave.

Të hyrat dhe shpenzimet buxhetore në Kosovë, thuhet se kanë shënuar rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Buxheti i Kosovës për vitin 2015 ka planifikuar të mbledhë 1 miliard e 576 milionë euro, ku nga kjo vlerë, 470 milionë euro, apo 28 për qind e buxhetit janë paraparë të investohen në projektet kapitale.

Te shpenzimet kapitale, siç thotë zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka një ekzekutim më të ultë të buxhetit.

“Shpenzimet kapitale vazhdojnë të jenë relativisht të ulëta dhe kanë arritur në 212.8 milionë euro. Pritet që norma e ekzekutimit të këtyre shpenzimeve të rritet në nëntor dhe dhjetor, për shkak të përfundimit të projekteve të ndryshme”, thotë Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Të dhënat e fundit të Bankës Botërore kishin vënë në pah se deri më 30 qershor 2015, është parë një ekzekutim i ulët i buxhetit kapital, i cili ka krijuar një deficit të përkohshëm fiskal prej 1.3 për qind të Bruto Produktit Vendor.

“Kjo është për shkak se ekzekutimi i investimeve kapitale ka stagnuar, mund të them që ka stagnuar më shumë sesa që kemi pritur. Marrë parasysh se Qeveria ekziston që nga fillimi i vitit, është besuar që një pjesë e këtyre investimeve do të rrjedhë më shpejt. Të dhënat e fundit që nuk janë futur në raportin tonë, sugjerojnë që ka një rritje të lehtë, por prapë është një stagnim”, kishte thënë ekonomisti i Bankës Botërore, Agim Demukaj.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë, thonë se vendi ka nevojë për shumë investime, kështu që edhe mjetet buxhetore kanë ku të shpenzohen.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në prononcimin për Radion Evropa e Lirë thotë se pret që buxheti të ekzekutohet, qind për qind deri në fund të vitit.

“Ende nuk dimë se çfarë ka mbetur nga buxheti i planifikuar dhe ende nuk dimë se a do të mbushet buxheti i planifikuar, por nisur nga ky fakt, nga i tërë buxheti kanë mbetur edhe dy muaj e gjysmë dhe shpresoj se mjetet e buxhetit do të shpenzohen”, shton Shahini.

Megjithatë, Shahini vë në dyshim nëse mjeteve të buxhetit iu është dhënë drejtim i duhur dhe nëse investimet e bëra kanë arritur efekte pozitive, në veçanti për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Problemi është se sa është shpenzuar racionalist ky buxhet dhe sa ka prekur kërkesat e qytetarëve?! Nuk duhet të nisemi vetëm në atë sesa po shpenzojmë, por sa është rritja e efikasitetit të shpenzimeve në mënyrë që qytetarët të përfitojnë nga investimet që bën Qeveria e Kosovës”, thekson Shahini.

Ndryshe, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, janë dy institucionet, nga të cilat varet edhe mbushja e buxhetit të shtetit të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG