Ndërlidhjet

logo-print

Nevoja për rishqyrtimin e 20 përqindëshit për punëtorë


Ilustrim

Ilustrim

Mbi 700 mijë euro është shuma që ka shpërndarë së fundmi Agjencia Kosovare e Privatizimit nga fond i 20 përqindëshit për punëtorët nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. Nga kjo shpërndarje, do të përfitojnë 380 punëtorë.

Kjo përqindje u takon punëtorëve nga shuma e përgjithshme e shitjes së ndërmarrjeve ku kanë punuar.

Por, përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Kosovës (BSPK), thonë se agjencia e ka zvarritur tej mase këtë proces, pasi, sipas tyre, ka ndërmarrje që është privatizuar qe një dekadë, kurse mjetet iu shpërndahen tani.

Alush Sejdiu, nënkryetar në BSPK, thotë se sindikata gjendet në presion të madh nga punëtorët, të cilët kanë punuar në ndërmarrjet tashmë të privatizuara.

“Është neglizhuar procesi i privatizimit në tërësi dhe si pjesë përbërëse e këtij procesi, edhe 20 përqindëshi është neglizhuar, për arsye se kemi mungesë të kompletimit të bordeve si të AKP-së, po ashtu edhe të Odës së Veçantë. Kjo pasi Oda e Veçantë është organi i fundit, i cili jep vendimet përfundimtare për shpërndarjen e 20 përqindëshit”, thotë Sejdiu.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, shpërndarjen e 20 për qindëshit e konsiderojnë proces të neglizhuar.

Musa Limani, profesor i Ekonomisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se vonesa e shpërndarjes se kësaj përqindjeje, është devalvuar dhe duhet të shikohen mundësitë për rritjen e vlerës së saj.

“Për të qenë real me punëtorët, në aspektin profesional ekonomik, mendoj se për këtë 20 përqindësh, duhet të llogaritet kamata, e cila në këtë periudhë ka qenë e zbatuar te depozitat në bankë dhe kamata ndëshkuese. Kështu që duhet të rritet vlera e përqindjes. Do të thotë këto mjete duhet të llogariten, sikur të jenë të deponuara në bankë, në emër të tyre”, konsideron profesor Limani.

Devalvimi i 20 përqindëshit, shton Limani, ka dëmtuar mirëqenien e punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara.

“Njerëzit kanë llogaritur se me rastin e shitjes së ndërmarrjes së tyre, 20 për qindëshin do të marrin dhe kanë planifikuar që me ato mjete të avancohen në jetën e tyre familjare, pasi i kanë llogaritur si mjete buxhetore, qoftë për të blerë diçka të patundshme ose plane tjera në buxhetin familjar”.

Mirëpo, ajo ka dështuar dhe normalisht që është shprehur në varfëri dhe në uljen e standardit të punëtorëve, të cilët edhe ashtu janë dëmtuar dukshëm me rastin e shitjes së ndërmarrjeve dhe kanë mbetur pa punë dhe pa burime tjera financiare”, shton Limani.

Edhe nënkryetari i BSPK-së, Alush Sejdiu, thotë se rritja është e mirëseardhur, por një gjë të tillë duhet të ndryshohet baza ligjore.

“Ne pajtohemi për çdo rritje, por në rrethanat aktuale të veprimit të ligjit, nuk ka mundësi. Fillimisht, duhet të ndryshohet ligji, rregulloret dhe pastaj të flitet për këtë rritje. Dëshirat janë diçka tjetër dhe mundësitë krejt diçka tjetër”, deklaron Sejdiu.

Ndryshe, deri më tani Agjencia Kosovare e Privatizimit ka shpërndarë rreth 104 milionë euro për më shumë se 43 mijë punëtorë dhe ish-punëtorë të Ndërmarrjeve Shoqëror.

Ndërkohë, Agjencia është në proces të përgatitjes së dokumentacionit për shpërndarjen e fondeve të 20 për qindëshit për punëtorët e kualifikuar edhe të tri ndërmarrjeve tjera.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG