Ndërlidhjet

Maqedonia pret ndihmat e BE-së për krizën me refugjatë


Migrantët në Maqedoni

Migrantët në Maqedoni

Organizatat ndërkombëtare që merren me refugjatët, kanë njoftuar se ditëve në vijim pitet të rritet fluksi i migrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut drejt Evropës, që kalojnë nëpër Maqedoni.

Duke qenë se këta migrantë kalojnë vetëm transit nëpër Maqedoni, organizatat humanitare kanë bërë thirrje që institucionet shtetërore të angazhohen sa më parë për ndërtimin e kampeve për refugjatët, në rast se ata do të jenë të detyruar të qëndrojnë më gjatë.

Jasmin Rexhepi nga organizata humanitare “Legis” organizatë kjo që koordinon aktivitet humanitare të shumë organizatave, të cilat veprojnë në pikat kufitare në Tabanovc dhe Bogorodicë thotë se problemi kryesor mbeten temperaturat e ulëta dhe nevoja për ngrohje.

“Edhe më tej në qendrat e pranimit për migrantë në Bogorodicë dhe Tabanovc , ekzistojnë vetëm dy kampe me tenda verore. Jemi në kontakt me organizatat më të mëdha humanitare, kuptohet dhe UNHCR-në, që të vendosen sisteme ngrohjeje në këto tenda, ndërkohë që zhvillohen punimet, të mbyllet pjesa e parme e tyre me qëllim që migrantët ta kenë pak më ngrohtë, për aq orë sa qëndrojnë në to”.

“Po ashtu, edhe të sigurohet transporti për destinacionin e tyre të ardhshëm. Situata është tragjike, akoma nuk është instaluar sistem ngrohjeje në tendat e vendosura në qendrat e pranimit, ndërkohë që temperaturat gjatë orëve të natës janë shumë të ulëta. Ne, si organizata humanitare, për aq sa kemi mundësi shpërndajmë batanije, dorashka dhe kapela të paktën për fëmijët”, bën të ditur Rexhepi.

Autoritet e vendit edhe kësaj jave kanë thënë se Maqedonia, si shtet, nuk do ta mbyllë kufirin për migrantët, para një vale eventuale të të ikurve,edhe në rast se një vendim të tillë e marrin vendet e tjera të rajonit. Megjithatë, kanë theksuar se Maqedonia mund të pranojë më së shumti 30 mijë refugjatë.

Nga qendra për menaxhimin me kiza theksohet se në vazhdimësi mbahen takime për koordinimin e aktiviteteve të institucioneve shtetërore në funksion të menaxhimit të krizës me refugjatët, ndërkoh që ankohen se akoma nuk kanë arritur mjetet e planifikuara për Maqedoninë nga Bashkimi i Evropian. Për pasojë, institucionet përkatëse shpenzojnë mjetet e buxhetit,të cilat nuk ishin të parapara në planin vjetor.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, gjatë vizitës që i bëri qendrës pranuese në Bogorodicë, në kufirin Maqedoni Greqi, tha se Maqedonia, si shtet, ishte e para që shpalli gjendjen e krizës në kufirin jugor, por ndihmat nga BE-ja akoma nuk kanë arritur.

“Brenda këtyre muajve kemi shpenzuar 5 milionë euro, mjete të paplanifikuara vetëm për shërbime të sigurisë. Këtu nuk bëjnë pjesë shpenzimet për shëndetësi, si dhe shërbimet për çështje sociale”, deklaroi Ivanov.

Ndërkaq, Jasmin Rexhepi nga organizata humanitare “Legis” thotë se mbi 90 për qind e ndihmave, të cilat u shpërndahen migrantëve në terren, qoftë ushqim apo veshmbathje, është donacion nga qytetarët apo biznesmenë të ndryshëm.

“Ne, si organizata humanitare, nga shteti nuk kemi siguruar asnjë ndihmë humanitare, madje deri më tani nuk kemi paralajmërime se ndonjë nga institucionet e shtetit do të sigurojë çfarëdo lloj ndihme në ushqim, veshmbathje apo ngrohje për migrantët për aq kohë sa qëndrojnë në Maqedoni”, shton Rexhepi.

Gjatë muajve të fundit përmes Maqedonisë, transit kanë kaluar mbi 150 mijë migrantë nga viset e prekura nga lufta në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut.

XS
SM
MD
LG