Ndërlidhjet

Zejnullahu: Zgjedhjet e reja – rrugë për tejkalimin e situatës në UP


Pamje e një pjese të Prishtinës

Pamje e një pjese të Prishtinës

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, thotë se shkarkimi i tij nga detyra e rektorit të Universitetit të Prishtinës ishte një veprim i planifikuar me muaj të tërë, i cili “nuk u realizua plotësisht sipas skenarit”.

Mëtutje, në një deklaratë me shkrim për media, zoti Zejnullahu, thekson se “anulimin e vendimit për shkarkim nga ministri i arsimit dhe dënimin e këtij akti të papërgjegjshëm nga opinioni i gjërë publik, e kam kuptuar si mbështetje për punën që kam bërë deri tash bashkë me ekipin tim”, dhe ka shtuar se “kjo mbështetje më nderon dhe obligon”.

Rektori Zejnullahu thotë se “me aktin e shkarkimit, edhepse të zhvlerësuar nga aspekti juridik, është vënë në pikëpyetje legjitimiteti i të gjitha organeve të Universititetit: Këshilli Drejtues, Senati, rektori, këshillat e fuakulteteve, dekanët, Parlamenti Studentor dhe bartësit e tjerë të funksioneve”.

Rrjedhimisht, ai konsideron se “shpallja e zgjedhjeve të parakohshme është rruga e vetme për ta tejkaluar situatën e krijuar”.

Meqë thotë se do të ishte e papërgjegjshme që ai tash të largohej nga Universiteti, Ramadan Zejnullahu shprehet se ka vendosur “të qëndroj në krye të Universitetit deri në përfundimin e procesit zgjedhor, në fillim të vitit 2016”.

Në këtë periudhë do të punohet për krijimin e kushteve për “zgjedhje të ndershme”, thotë Zejnullahu, dhe shfaq shpresën se këto zgjedhje “do të sjellin një strukturë të përgjegjshme qeverisëse, menaxhuese dhe akademike, që do të jetë në gjendje t’ia rikthejë Universitetit kredibilitetin e dëmtuar”.

XS
SM
MD
LG